Lajme

Kërkesa për dëshminë e vaksinimit me tri doza “e panevojshme” dhe “e paarsyeshme”

Certifikata e vaksinimit kundër COVID-19.

Kufirin Kosovë-Serbi e kalonte çdo javë pa asnjë problem.

Por, vendimi i 21 janarit – ia vështirësoi ardhjen në Kosovë Fatlind Azizit nga Presheva, i cili studion në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Qeveria ka marrë vendim që për të hyrë në Kosovë qytetarët duhet të posedojnë dëshminë e vaksinimit me tri doza, apo dy doza dhe një test PCR negativ, jo më të vjetër se 48 orë.

Aktualisht Azizi është i vaksinuar me dy doza të vaksinës. Për ta marrë të tretën, duhet të presë gjashtë muaj nga doza e dytë.

Studenti nga Presheva, Fatlind Azizi

Ndërsa, testin PCR thotë se është e vështirë për ta bërë pasi “bëhet vetëm dy herë në javë në Shtëpitë e Shëndetit, edhe atë me numër të kufizuar të testeve që ruhen për njerëzit që kanë simptoma”.

Azizi përmend edhe një fakt tjetër. Testi PCR në laboratorët privatë kushton më së paku 30 euro dhe bëhet vetëm në Vrajë, rreth 48 kilometra larg Preshevës.

“Vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës, është i ngutshëm dhe i pa menduar mirë. Është dashur të logjikohen më mirë këto masa, sepse shqiptarët e Luginës së Preshevës janë të parët që preken kur vendosen masa të tilla”.

Kjo masë e vendosur thotë se ka ndikuar shumë keq për të si student, pasi “në vend që të fokusohem në provimet e afatit të janarit, duhet të merrem me probleme të tilla burokratike”.

Sinani: Kjo masë po e kufizon lirinë e lëvizjes midis Komunës së Preshevës dhe Republikës së Kosovës

Kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani

Jo vetëm të Azizit. Kjo masë ka vështirësuar qarkullimin edhe të dhjetëra qytetarëve të tjerë nga Presheva.

Kryetarja e kësaj komune, Ardita Sinani, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës rishikim të masave për të hyrë në Kosovë.

Sinani në një përgjigje me shkrim për Shqip.com, tha se nuk kanë të dhëna zyrtare se sa qytetarë përafërsisht e kalojnë kufirin Kosovë-Serbi brenda ditës, por shtoi se “Republika e Kosovës është destinacioni më i frekuentuari nga ana e qytetarëve të Komunës së Preshevës në veçanti, e shqiptarëve të Luginës së Preshevës në përgjithësi.”.

“Ky vendim dëmton seriozisht banorët e Luginës së Preshevës duke qenë se një pjesë jo e pakët e tyre nuk mund ta marrin dozën e tretë sepse nuk kanë kaluar mjaftueshëm muaj nga doza e dytë dhe shumë prej bashkëvendësve tanë nuk kanë mundësitë financiare për ta kryer testin RT-PCR çdo herë që e kalojnë kufirin (i cili kushton rreth 50 euro)”.

“Kjo masë po e kufizon lirinë e lëvizjes midis Komunës sonë dhe Republikës së Kosovës, ku edhe punojnë, studiojnë, shërohen, apo edhe vizitojnë reciprokisht familjarët e tyre, etj”, thuhet në përgjigjen e saj.

Tolaj: E panevojshme dhe e paarsyeshme

Infektologu Ilir Tolaj

Ky vendim i Qeverisë është i panevojshëm dhe i paarsyeshëm sipas infektologut Ilir Tolaj.

Ai thotë se masa të tilla strikte si kjo arsyetohen vetëm në rastet kur situata epidemiologjike në një vend është e mirë se në rajon.

Sipas tij, dy doza anti-COVID janë të mjaftueshme për të qenë kusht që dikush të hyjë brenda territorit të Kosovës.

“Meqenëse në Kosovë janë mijëra raste të regjistruara, atëherë kjo masë e Qeverisë është e paarsyeshme dhe e panevojshme. Kjo lloj mase është aplikuar nga ato vende që e kanë politikën zero të infeksioneve si Australia ose Zelanda e Re”, tha Tolaj në një prononcim për Shqip.com.

MSh: Masat mund të rishikohen ditëve në vijim

Ministria e Shëndetësisë

Ndërkohë, nga Ministria e Shëndetësisë kanë thënë se të gjitha masa mund të rishikohet gjatë ditëve në vijim, varësisht nga situata epidemiologjike lidhur me COVID-19.

“Mekanizmat kundër COVID-19 do të monitorojnë në baza ditore situatën epidemiologjike lidhur me COVID-19 dhe deri në fundin e javës, institucionet tona do të mund të kenë një pasqyrë më gjithëpërfshirëse se cili ka qenë ndikimi i rritje së rasteve të COVID-19 në ngarkesën spitalore dhe në varësi të kësaj, si dhe të numrit të rasteve të reja gjatë ditëve në vijim, të gjitha masat do të mund të rishikohen”, thuhet në njoftimin e MSh-së.

Sa i përket masave të fundit, nga ky dikaster kanë thënë se të gjitha kanë qenë rezultat i analizës së rregullt të situatës epidemiologjike në vend, konsultimeve me profesionistët shëndetësor dhe Komisionin këshill-dhënës lidhur me COVID-19.

Masat e fundit kundër Coronavirusit kanë hyrë në fuqi të shtunën e 22 janarit dhe vlejnë deri më 4 shkurt.

Sipas këtyre masave, vendimi për kërkim të certifikatës për vaksinën e tretë nuk vlen për personat të cilët hynë në Kosovë tranzit, për shoferët, shtetasit e Kosovës të cilët kanë dalë nga vendi 12 orë më parë, qytetarët të cilët kalojnë përmes transportit të organizuar, diplomatët e huaj dhe pjesëtarët e KFOR-it.

Gjithashtu, ky vendim nuk vlen për qytetarët nën moshën 12-vjeçare. Personat 12 deri 16-vjeç duhet të posedojnë test RT-PCR.

Personat të cilët nuk kanë marrë dy doza të vaksinave anti-COVID janë të detyruar të karantinohen për shtatë ditë.

Rastet me COVID-19 në Kosovë janë rritur dukshëm ditëve të fundit.

Dy persona kanë vdekur, ndërsa dy mijë e 243 raste të reja janë regjistruar vetëm në 24 orët e fundit.

Në total numri i rasteve aktive në nivel vendi është 19 mijë e 519./SHQIP.com