Kulturë Kino

“Këngët erotike mungojnë në kulturën tonë” – Vlora Nikçi flet rreth librit ‘Kangë Popullore Erotike’

Aktorja, Vlora Nikçi

“Rrugëtim me përplot sfida, pa siguri, frikë, por shumë kureshtje për ta mësuar kuptimin e jetës”.

Kështu është shprehur aktorja dhe autorja e librit “Kangë Popullore Erotike”, Vlora Nikçi, gjatë përshkrimit të karrierës 20-vjeçare të saj.

Ajo në një intervistë për SHQIP.com ka thënë se ideja që të bëjë një përmbledhje të këtij lloji i ka lindur pasi këngët erotike mungojnë në kulturën tonë.

“Mua si aktore më kanë munguar këngët erotike shqiptare. Diçka e jona, e imja, sepse duke e njohur natyrën e popullit tim dhe shprehjen e emocionit të dashurisë ndër nesh, e dija se do të ketë diçka shumë unike diku thellë. Fillova të bëj hulumtime dhe e pashë se këngët erotike mungojnë në kulturën tonë. Gjeta shumë këngë dashurie, të cilat edhe çojnë kah erotika, por jo krejtësisht erotike”, ka deklaruar ajo.

Nikçi ka shtuar se ka kuptuar që shumë njerëz kanë nguruar që të publikojnë këngë erotike nga turpi.

“Pas shumë kërkimeve, takimeve, pyetjeve dhe përgjigjeve, e kuptova se kishte qenë njëfarë turpi, që të botoheshin këto këngë dhe si pasojë e kësaj, shumë njerëz kanë ngurruar. U preka shumë nga kjo e vërtetë. Më vinte shumë keq që krijime kaq të bukura të artit popullor, këto emocione kaq të sinqerta dhe kaq të thella njerëzore, janë trajtuar në atë mënyrë”.

Aktorja shtoi se ky libër me përmbledhje përmban trashëgimi kulturore në vete.

“Gjithmonë ajo që i ka mbijetuar kohës është e veçantë. Pra, trashëgimia kulturore që ka mbijetuar kaq gjatë ndër vite edhe duhet të jetë ai çelësi pse gjithsecili e do këtë libër”.

Ky libër ka marrë lëvdata të shumta pas botimit, me ç’rast ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott gjatë lansimit ka thënë së  do ta përkthejë nga shqipja në anglisht librin “Kangë Popullore Erotike”.

Për këtë vlersim, Nikçi është shprehur shumë e lumtur, ku tha se me përkthimin e librit nga ambasadori i bëhet nder kulturës shqiptare.

“Ndjehem shumë e nderuar qe z. Abbott e ka marrë përsipër këtë përkthim, bashkë me grupin e tij punues. Në këtë grup është edhe profesoresha dhe përkthyesja e shumë librave të njohur Znj. Mirela Xhaferraj Mitro. Mezi pres të dal libri në gjuhen angleze dhe t’a njohë bota popullin tonë nga një prizëm tjetër shumë i veçantë dhe i bukur”, ka pohuar ajo.

Kush është Vlora Nikçi?

Vlora Nikçi ka lindur në qytetin e Pejës dhe ka studiuar degën e Artëve Muzikore.

Nikçi është aktive në profesionin e aktores në teatër dhe film.

Është fituese e disa çmimeve kombëtare dhe ndërkombëtare: “Aktorja më e mirë” në: “Festivalin Ndërkombëtar Skena Up”, 2004. “Festivalin e Teatrove në Ferizaj”, 2012, “Ditët e Komedisë Shqiptare”, 2015.

Tashmë ajo është edhe autore e librit “Kangë popullore erotike”.

Autorja në libër ka bërë mbledhjen e folklorit burimor të Rugovës dhe fshatrave të thella të Malësisë.

Këngët që tashmë janë në libër, janë të viseve të Kosovës, që kanë krijuar, interpretuar dhe ruajtur deri më sot margaritarët më të mirë të këndimit popullor. /SHQIP.com