Lajme

KDI: Udhëzimi administrativ për largimin e kryetarëve në komunat veriore tejkalon ligjin

KDI
KDI

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka reaguar lidhur me hartimin e Udhëzimit Administrativ që mundëson mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat në veri, përmes iniciativës së 20 përqind të qytetarëve.

Sipas KDI-së, procesi i hartimit të tij është përcjellë me mungesë të transparencës dhe gjithëpërfshirjes.

Ndërsa, kanë thënë se Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal ka vepruar në shpërputhje me standardet minimale për konsultime publike, duke e mbajtur të hapur vetëm katër ditë pune.

“Vlerësojmë që drafti i përgatitur nga MAPL-ja ka tejkaluar përcaktimet ligjore të ligjit për vetëqeverisjen lokale. Në njërën anë, MAPL-ja ka përcaktuar procedura, afate dhe obligime në kuadër të iniciativës që shkojnë përtej ligjit, e në anën tjetër, nuk ka adresuar paqartësitë në zbatimin e dispozitave në fuqi”, thuhet ndër të tjera në reagimin e tyre.

Postimi i plotë:  

Qeveria e Kosovës ka mbështetur mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore, por duke vlerësuar se mënyra më e mirë është që kjo të bëhet përmes iniciativës së 20% të qytetarëve. Për këtë qëllim, është formuar grupi punues në kuadër të MAPL-së, i cili ka afat që deri nesër të finalizojë udhëzimin administrativ lidhur me iniciativën e qytetarëve për largimin e kryetarëve të komunave.

Pavarësisht rëndësisë së këtij udhëzimi, procesi i hartimit të tij është përcjellë me mungesë të transparencës dhe gjithëpërfshirjes. Madje, MAPL-ja ka vepruar në shpërputhje me standardet minimale për konsultime publike, duke e mbajtur të hapur në konsultim publik këtë udhëzim për vetëm katër ditë pune.

#KDI edhe më parë kishte vënë theksin tek rëndësia që udhëzimi administrativ të jetë në përputhje të plotë me dispozitat ligjore. Megjithatë, vlerësojmë që drafti i përgatitur nga MAPL-ja ka tejkaluar përcaktimet ligjore të ligjit për vetëqeverisjen lokale. Në njërën anë, MAPL-ja ka përcaktuar procedura, afate dhe obligime në kuadër të iniciativës që shkojnë përtej ligjit, e në anën tjetër, nuk ka adresuar paqartësitë në zbatimin e dispozitave në fuqi.

Specifikisht, udhëzimi kundërligjshëm përcakton një afat prej 30 ditësh për mbledhjen e nënshkrimeve, gjë që ua kufizon qytetarëve vullnetin për ushtrimin e një të drejte ligjore, si dhe paradoksalisht përcakton afat shtesë për plotësimin e kërkesës me nënshkrime të reja, nëse nuk arrihet kriteri prej 20 % të votuesve të regjistruar. Në anën tjetër, udhëzimi nuk ka precizuar se cila listë e votuesve do të merret për bazë në inicimin e kërkesës dhe zhvillimin e procesit të votimit.

Prandaj, në këto rrethana, KDI rithekson që udhëzimi administrativ, përveç se në kundërshtim me ligjin, është i pamjaftueshëm për të mundësuar largimin e kryetarëve të komunave. Për zhvillimin adekuat të këtij procesi, është i domosdoshëm miratimi i legjislacionit përkatës sekondar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Kësisoj, KDI i konsideron dorëheqjet e kryetarëve aktualë të komunave veriore, si zgjidhjen më efikase për tejkalimin e situatës dhe zgjedhjen e institucioneve të reja legjitime.

/Shqip.com