Lajme

KDI: Projektligji për zgjedhjet më shumë i shërben interesave të ngushta të partive

Instituti Demokratik i Kosovës

Muajin e kaluar, Komisioni ad-hoc për Reformë Zgjedhore përmbylli punën e tij njëvjeçare, që rezultoi me një draft të ri të ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, i cili është miratuar në parim.

Instituti Demokratik i Kosovës thekson se ky projektligj reflekton një konsensus të plotë mes subjekteve politike parlamentare, të cilat kanë treguar dakordësi edhe për shqyrtimin e përshpejtuar të tij.

“Edhe pse pritjet ishin që Komisioni të trajtonte reformën zgjedhore në mënyrë më përmbajtësore, pra në përputhje me vetë emrin e tij, projektligji që do t’i prezantohet Kuvendit ka adresuar vetëm çështje të natyrës teknike që lidhen me administrimin e zgjedhjeve, e të cilat ishin kërkuar vazhdimisht nga misionet e BE-së për vëzhgimin e zgjedhjeve.

Shumë elemente, që janë në interes të garantimit të përfaqësimit sa më të drejtë dhe avancimit të demokracisë janë lënë anash, përkundër nevojës dhe rëndësisë që ato kanë. Në fakt, kjo ‘reformë’, përtej ndryshimeve kozmetike, i ka shërbyer shumë më tepër akomodimit të interesave të ngushta të subjekteve politike, veçanërisht lidhur integritetin e procesit zgjedhor – ku është shënuar regres serioz”, thuhet në reagimin e KDI-së.

Për KDI-n subjektet politike janë pajtuar që me këtë projektligj ta ulin standardin për përshtatshmërinë juridike të kandidatëve, që në praktikë ua mundëson kandidimin edhe atyre që janë të dënuar me kusht apo me gjobë për vepra penale.

KDI rekomandon që kandidimi t’u mohohet të gjithë personave të dënuar me vendim të formës së prerë, pavarësisht llojit dhe lartësisë së dënimit, për veprat e rënda penale të përcaktuara sipas nenit 22 të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës – ku mes tjerash, përpos veprave të dënueshme me mbi 10 vite burgim, përfshihen edhe veprat penale të korrupsionit, veprat e cenimit të të drejtave zgjedhore dhe kundër integritetit të zgjedhjeve, krimin e organizuar”,  thuhet më tej në komunikatë.

KDI njofton se me projektligjin e ri është ndryshuar edhe votimi preferencial, nga pesë kandidatë – sa ka qenë deri më tani, në 10 – sa ka qenë në zgjedhjet e vitit 2007.

Çështja e tretë problematike që është futur në projektligjin e ri për zgjedhjet është mundësia e shkarkimit të kryesuesit apo anëtarëve të KQZ-së me propozim të 2/3 e përbërjes së KQZ-së, për rastet e shkeljeve të integritetit apo statusit të KQZ-së, që deri më tani ka qenë në diskrecion të plotë të Presidentit.

“Ndryshimet e propozuara, përveç se nuk adresojnë problematikën e paqartësisë mbi rrethanat e shkarkimit, në fakt mundësojnë cenim edhe më të rëndë të pavarësisë dhe integritetit të KQZ-së. Ndryshimet në fakt mundësojnë politizimin e përfundimit të mandateve të kryesuesit apo anëtarëve të KQZ-së, duke minuar besimin e publikut në këtë institucion.

KDI vlerëson që KQZ-ja nuk duhet të ketë mundësi të propozojë shkarkimin e anëtarëve apo kryesuesit lidhur me shkeljet e pretenduara të statusit apo integritetit të KQZ-së. Kurse, projektligji i ri duhet të parashohë qartazi rrethanat, veprimet apo mosveprimet, të cilat mund të përbëjnë shkelje të integritetit apo statusit të KQZ-së – që mund të përdoren si bazë për përfundimin e parakohshëm të mandatit të anëtarëve të KQZ-së”, thuhet në reagimin e Institutit Demokratik të Kosovës.

Përveç reagimit mbi këto tre probleme më akute që prekin integritetin e zgjedhjeve, KDI dhe Demokracia në Veprim gjatë ditëve në vijim do të paraqesin dhe elaborojnë elemente tjera të sistemit zgjedhor të cilat fatkeqësisht nuk janë marrë fare në konsideratë nga komisioni ad-hoc për reformën zgjedhore.

/Shqip.com