Katër të vrarë dhe dy të arrestuar pas vrasjes së presidentit të Haitit
Katër persona të dyshuar janë vrarë dhe dy të tjerë janë arrestuar nga Policia në Haiti, disa orë pas vrasjes së presidentit të vendit, Jovenel Moise, në rezidencën e tij private në periferi të kryeqytetit, Port-au-Prince, gjatë orëve të para të 7 korrikut, transmeton Shqip.com.
Siç bën të ditur shefi i Policisë së Haitit, Leon Charles, tre oficerë policie të mbajtur peng nga të dyshuarit e armatosur, janë liruar në orët e vona të së mërkurës.
Ngjarjet vijnë mes një kaosi në rritje në një vend ku është shtuar dhuna e bandave dhe kishte pasur protesta ndaj sundimit gjithnjë e më autoritar të presidentit.
Kryeministri i përkohshëm haitian, Claude Joseph, gjatë një fjalimi në televizionin shtetëror të mërkurën në mëngjes, tha se Haiti ka shpallur gjendjen e shtetrrethimit. Joseph tha se ai po drejton vendin dhe në të po zbatohet ligji ushtarak, ndërsa kufijtë e Haitit dhe aeroporti kryesor i tij janë mbyllur.
Zonja e Parë Martine Moise, e cila u qëllua gjatë sulmit, është në gjendje të qëndrueshme, por kritike, tha ambasadori I Haitit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bocchit Edmond, gjatë një konference për media, raporton VoA.
Po bëhen përgatitje për ta transferuar atë në një spital në Miami për trajtim. /Shqip.com