Lajme

Katër policë janë lënduar gjatë arrestimit të Molliqajt

Policia e Kosovës gjatë arrestimit të zyrtarëve të PSD-së.

Katër zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime trupore gjatë arrestimit të kryetarit të Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqajt, edhe 12 aktivistëve të tjerë të kësaj partie, gjatë aksionit të së hënës.

Kështu ka bërë të ditur Policia e Kosovës përmes raportit 24 orësh.

Lexo edhe:
“Mashtrues, jep dorëheqje”, “Dardan mos ofendo”- përplasen Molliqaj dhe Fejzullahu

Sipas njoftimit, me vendim të prokurorit, pas intervistimit katër të dyshuar janë dërguar në mbajtje, ndërsa të tjerëve u janë shqiptuar fletëparaqitje për kundërvajtje.

Rasti është hapur si “Pengim i personit zyrtar”.

“Rr. Bekim Fehmiu, Prishtinë,14.02.2022-11:20. Janë arrestuar 13 të dyshuar, 11 meshkuj dhe 2 femra kosovarë pasi që të njëjtit kanë hyrë në objektin e ZRrE-së dhe kanë penguar punën e punonjësve”.

“Gjatë arrestimit të dyshuarit kanë rezistuar me ç’rast katër zyrtar policor kanë pësuar lëndime trupore”, thuhet në raportin policor.

PSD-ja të hënën protestoi në zyrat e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për shkak të shtrenjtimit të energjisë elektrike.

I pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, i cili është përplasur me kryetarin e bordit të ZRrE-së, Ymer Fejzullahu.

Gjatë kësaj proteste ka ndërhyrë Policia e Kosovës, e cila ka arrestuar 13 persona./Shqip.com