Lajme

“Katër policë janë lënduar gjatë arrestimit”, reagon PSD-ja: Policia ka dezinformuar dhe gënjyer

Partia Socialdemokrate

“Policia ka dezinformuar dhe ka gënjyer”.

Kështu e ka akuzuar Partia Socialdemokrate Policinë e Kosovës, pasi kjo e fundit deklaroi se katër zyrtarë të saj janë lënduar gjatë arrestimit të kryetarit të PSD-së, Dardan Molliqaj, dhe aktivistëve të tjerë të kësaj partie.

Sipas PSD-së, kjo deklaratë e policisë është “gënjeshtër e kulluar lidhur me rrjedhën e protestës”.

“Ata thonë se janë lënduar 4 policë, por në fakt pamjet tregojnë se janë protestuesit që të shtrirë janë shkelur me këmbë. Evidenca mjekësore dëshmon po ashtu se ndihmë mjekësore kanë kërkuar Dardan Molliqaj dhe Gent Brahimi”, thuhet në reagimin e tyre.

Policia e Kosovës gjatë arrestimit të zyrtarëve të PSD-së

Mes tjerash, PSD-ja akuzon PK-në se “po e vazhdon propagandën që ka për qëllim kriminalizimin e protestës dhe arrestimin e dhunshëm të aktivistëve”.

“Policia ka dezinformuar dhe ka gënjyer. Ka dezinformuar kur ka thënë se janë në mbajtje 4 aktivistë. Aktivistët e arrestuar janë 6, emrat e tyre janë: Dardan Molliqaj, Teutë Rrusta, Nol Nushi, Natyra Kuçi, Genc Sherifi, Frashër Krasniqi”.

“Ne vazhdojmë të kërkojmë përgjigje në lidhje me vendimin e shtrenjtimit të rrymës. Mashtrimi, gënjeshtra e manipulimi i ZRrE-së tashmë u dëshmua edhe me dhunën policore që u përdor dje”.

PSD-ja të hënën protestoi në zyrat e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për shkak të shtrenjtimit të energjisë elektrike.

I pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, i cili është përplasur me kryetarin e bordit të ZRrE-së, Ymer Fejzullahu.

Gjatë kësaj proteste ka ndërhyrë Policia e Kosovës, e cila ka arrestuar 13 persona, përfshirë edhe Molliqajn./Shqip.com