Lajme

Kastrati paralajmëron padi ndaj Rahimajt pasi shfuqizoi pjesërisht vendimet për reforma në arsim

Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati

Ish-kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati, ka paralajmëruar se do të dorëzojë padi kundër kryetarit aktual të kësaj komune, Kadri Rahimajt.

Paralajmërimi për padi është bërë pasi ky i fundit të enjten ka shfuqizuar pjesërisht vendimet për riorganizim të arsimit në Kamenicë, vendime këto që ishin marrë nga Kastrati.

Shfuqizimi i reformës së arsimit sipas ish-kryetarit Kastrati është në dëm të zhvillimit të fëmijëve për edukim cilësor.

Mes tjerash, ka thënë se nuk janë plotësuar as kushtet ligjore për ta shfuqizuar këtë reformë.

“Kjo qasje dhe ky vendim është në dëm të zhvillimit të fëmijëve në edukimin më cilësor dhe nuk mundet me pas zhvillim normal me ata fëmijë e nxënës. E dyta kjo është kundërligjore. Duhet me i plotësuar disa standarde dhe kritere kur ti mundesh me e funksionalizua një shkollë dhe duhesh me i plotësua disa kushte ligjore kur e shfuqizon një vendim”, ka thënë ai.

Sipas njoftimit të Komunës së Kamenicës, shfuqizimi i këtyre vendimeve është bërë pasi në këto shkolla nuk është duke u zhvilluar mësimi, si pasojë e mospajtimit rreth organizimit dhe transferimit të nxënësve në shkolla tjera.

“Në këto shkolla, procesi mësimor nuk është zhvilluar nga data e marrjes së vendimit për riorganizim të arsimit e deri më sot”, thuhej në njoftimin për media.

𝐕𝐄𝐍𝐃𝐈𝐌𝐄

*𝐒𝐇𝐅𝐔𝐐𝐈𝐙𝐎𝐇𝐄𝐓 Pika 1 paragrafi 1.2 dhe Pika 2 paragrafi 2.2 i Vendimit Sh.02.Nr.26937 i datës 30.08.2019  për vijimin e mësimit në SHFMU ‘’Fan S.Noli’’.

Nxënësit sipas nivelit 0 dhe 1 të ISCED (niveli parashkollor dhe arsimi fillor 1-5) dhe niveli 2 të ISCED ( niveli i mesëm i ulët i shkollimit 6-9), vijojnë mësimin në SHFMU ‘’Hasan Prishtina’’ në Busavatë.

*𝐒𝐇𝐅𝐔𝐐𝐈𝐙𝐎𝐇𝐄𝐓 Pika 1 paragrafi 1.1, nga vendimi Sh.02.Nr.19870 i datës 10.09.2020 për vijimin e mësimit në Institucionin Arsimor “Avni Rrustemi” në Karaçevë të Epërme.

Nxënësit sipas nivelit 0,1 dhe 2 të ISCED-it niveli parashkollor, arsimi fillor 1-5 dhe arsimi i mesëm i ulët 6-9 rikthehen për vijimin e mësimit në SHFMU ‘’Asllan Thaçi’’ Karaqevë e Poshtme.

*𝐒𝐇𝐅𝐔𝐐𝐈𝐙𝐎𝐇𝐄𝐓 Pika 2 paragrafi 2.1 nga vendimi Sh.02.Nr.19870 i datës 10.09.2020, për vijimin e mësimit në institucionin arsimor “Rexhep Mala” në Topanicë.

Nxënësit sipas nivelit 0,1 dhe 2 të ISCED-it niveli parashkollor, arsimi fillor 1-5 dhe arsimi i mesëm i ulët 6-9 rikthehen për vijimin e mësimit në SHFMU ‘’Xhelal Sopi’’ në Petrovc.

*𝐒𝐇𝐅𝐔𝐐𝐈𝐙𝐎𝐇𝐄𝐓 Pika 3 paragrafi 3.1 nga vendimi Sh.02.Nr.19870 i datës 10.09.2020, për vijimin e mësimit në institucionin arsimor ‘’Skënderbeu’’ në Hogosht.

Nxënësit sipas nivelit 0,1 dhe 2 të ISCED-it niveli parashkollor, arsimi fillor 1-5 dhe arsimi i mesëm i ulët 6-9, shfuqizohet vetëm pjesërisht  për paralelen e ndarë në Kopërnicë dhe rikthehen në vijimin e mësimit në institucionin arsimor në fshatin Kopernicë.

*𝐒𝐇𝐅𝐔𝐐𝐈𝐙𝐎𝐇𝐄𝐓 Pika 4 paragrafi 4.1 nga vendimi Sh.02.Nr.19870 i datës 10.09.2020, për vijimin e mësimit në institucionin arsimor ‘’Sadri Misini’’ Shipashnicë e Epërme.

Nxënësit sipas nivelit 0,1 dhe 2 të ISCED-it niveli parashkollor, arsimi fillor 1-5 dhe arsimi i mesëm i ulët 6-9 shfuqizohet vetëm pjesërisht për paralelen e ndarë në Shipashnicë të Poshtme dhe rikthehen në vijimin e mësimit në institucionin arsimor të fshatin Shipashnicë e Poshtme./SHQIP.com