Lajme

Kastrati kërkon dorëheqjen e Nagavcit pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese

Ish-kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati

Ish-kryetari i Kamenicës, Qendron Kastrati, ka kërkuar dorëheqjen e Ministrës së Arsimit, Arbërie Nagavci, kjo pasi që Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka pranuar kërkesën e Komunës së Kamenicës dhe ka hedhur poshtë vendimin e MASHTI-t për arsim alternativ të përshpejtuar në këtë komunë, duke vlerësuar se nuk është në përputhje me ligjin.

Kastrati ka thënë se me këtë Gjykata Kushtetuese e konfirmoi përmes aktgjykimit parashtresën tonë: Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci e ka shkelur kushtetutën për ta luftuar reformën në arsim.

“Ekipi i reformës bashkë me juristët e RZZ LAW me përkushtim e profesionalizëm kanë argumentuar shkeljen flagrante të kompetencave komunale nga niveli qendror. Vendimi që u vërtetua kundër-kushtetues ka prodhuar pasoja. Ai ka ndërsyer njerëz kundër reformës. Ministrja Nagavci nuk mund t’ia hedhë kësaj pune kaq thjesht. Ajo ka penguar një reformë për arsye elektorale, duke shkelur kushtetutën. Tash duhet përgjegjësi. Jo më pak se dorëheqje”, ka shkruar ish-kreu i Kamenicës.

Ministrja e Arsimit, Arërie Nagavci dhe Qëndron Kastrati

Ky rast ndërlidhej me riorganizimin e shkollave në Komunën e Kamenicës më 2019, që ishte iniciuar përmes vendimit të kryetarit të komunës me arsyetimin e rënies së numrit të nxënësve në disa shkolla dhe mungesës së infrastrukturës së mirëfilltë të institucioneve arsimore.

 Por, me pakënaqësinë e disa prindërve të nxënësve të afektuar që refuzuan zbatimin e vendimeve të komunës, më 2021 MASHTI formoi një komision për vlerësimin e mosvijueshmërisë së mësimit nga ana e 441 nxënësve, ku kishte rekomanduar që për të adresuar situatën, MASHTI dhe Komuna duket: (i) ndërmarrin veprime të harmonizuara; dhe (ii) të themelojnë grup punues për analizimin e situatës në shkolla./Shqip.com

Lexo edhe:
MASHT humb betejën me Komunën e Kamenicës, Kushtetuesja përgjigjet për reformat në arsim