Lajme

MASHT humb betejën me Komunën e Kamenicës, Kushtetuesja përgjigjet për reformat në arsim

Ministrja e Arsimit, Arërie Nagavci dhe Qëndron Kastrati

Riorganizimi i plotë i shkollave në Kamenicë ende nuk ka përfunduar sipas dispozitave ligjore.

Me anë të një vendimi sot, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka pranuar kërkesën e Komunës së Kamenicës dhe ka hedhur poshtë vendimin e MASHTI-t për arsim alternativ të përshpejtuar në këtë komunë, duke vlerësuar se nuk është në përputhje me ligjin.

Ky rast ndërlidhej me riorganizimin e shkollave në Komunën e Kamenicës më 2019, që ishte iniciuar përmes vendimit të kryetarit të komunës me arsyetimin e rënies së numrit të nxënësve në disa shkolla dhe mungesës së infrastrukturës së mirëfilltë të institucioneve arsimore.

 Por, me pakënaqësinë e disa prindërve të nxënësve të afektuar që refuzuan zbatimin e vendimeve të komunës, më 2021 MASHTI formoi një komision për vlerësimin e mosvijueshmërisë së mësimit nga ana e 441 nxënësve, ku kishte rekomanduar që për të adresuar situatën, MASHTI dhe Komuna duket: (i) ndërmarrin veprime të harmonizuara; dhe (ii) të themelojnë grup punues për analizimin e situatës në shkolla.

Megjithatë, MASHTI, nxjerri Vendimin e kontestuar, bazuar në të cilin organizoi “mësimin alternativ të përshpejtuar për 441 nxënësit e Komunës së Kamenicës”. Vendimin e kontestoi Komuna e Kamenicës duke pretenduar se ministria kishte ndërhyrë në kompetencat vetanake të komunës.

Në vazhdim, Gjykata theksoi nenin 17 të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale sipas të cilit komunat kanë kompetenca “të plota dhe ekskluzive” në ofrimin e arsimit publik, përfshirë regjistrimin dhe licencimin e institucioneve edukative, punësimin, etj./Shqip.com