Lajme

Kapen nga policia tre të dyshuar për tentim-grabitjen në Prizren ku u plagosën babë e bir

Kryeprokurori Admir Shala dhe Faton Alija, drejtor i Policisë për Rajonin e Prizrenit, në konferencë për media

Policia e Kosovës ka arritur të arrestojë tre persona të cilët dyshohet se janë përfshirë në rastin e tentim-grabitjes së një argjendarie në Prizren.

Në këtë tentim-grabitje, cila ndodhi të hënën e 15 nëntorit – kanë mbetur të plagosur pronari i lokalit dhe djali i tij.

Përmes një konference për media, kryeprokurori Admir Shala dhe Faton Alija, drejtor i Policisë për Rajonin e Prizrenit, kanë njoftuar se të dyshuarit janë nga rajoni i Prishtinës dhe se kanë të kaluar kriminale.

Njëri nga të dyshuarit është arrestuar të mërkurën mbrëma, ndërsa dy të tjerët janë arrestuar të enjten.

Për të njëjtit është parashtruar kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit në gjykatën kompetente.

Alija ka treguar se viktimat – pronari i argjendarisë dhe i biri i tij janë jashtë rrezikut për jetë.

Ndërsa, të dyshuarit është thënë se kanë qenë të armatosur me armë të gjatë dhe pos që kanë plagosur dy viktima në argjendari kanë hapur zjarr edhe me një njësit policor në Suharekë.

“Incident ka pasur në 5 vende të ndryshme të ngjarjes, ku Policia është dashur të fokusohet. E gjithë ngjarja ka zgjatur 13-15 minuta. Prej asaj kohe automjeti ka dal nga Prizreni. Ka pasur shkëmbim zjarri, fatmirësisht nuk ka pasur të lënduar nga radhët e Policisë, si dhe qytetarët e plagosur janë jashtë rrezikut për jetë”.

“Vetura ndonëse është djegur, përmes laboratorit kemi arritur ta identifikojmë numrin e sasisë, provë kryesore që na ka orientuar në zbulimin e arrestimin e personave të dyshimtë që i potencojë kryeprokurori. Policia i siguron gjithë qytetarët se është në shërbim të tyre”.

Siç ka bërë të ditur ai, nga 1 janari në Prizren kanë ndodhur 10 grabitje, prej tyre shtatë janë zbuluar, pra 70 për qind e rasteve./SHQIP.com