Lajme

Kadri Veseli arrin në Kosovë

Kadri Veseli.

Ish-kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli pasditen e së hënës ka arritur në Kosovë.

Kështu kanë bërë të ditur burimet e Shqip.com.

Lexo edhe:
Kadri Veseli është nisur drejt Kosovës, pritet të arrijë pasdite

Të hënën familjarët e tij kishin bërë të ditur për mediumin se ai ka marrë konfirmimin nga Gjykata Speciale për vizitë në Kosovë, për vetëm 48 orë.

Ndërkaq, ardhja e tij në Kosovë vije pasi që Veselit i ka vdekur nëna, të premten në moshën 93-vjeçare.

Kurse, kjo është hera e tretë që Veseli viziton Kosovën prej kur po mbahet në Hagë që nga viti 2020.

Ndryshe, Veseli për herë të parë nga paraburgimi ishte në Kosovë në maj të 2021-ës për të vizituar babain e tij që ishte në gjendje të rëndë shëndetësore në Spitalin e Mitrovicës.

Për herë të dytë ai erdhi për t’i dhënë lamturën e fundit babait të tij në korrik që tashmë ishte varrosur në fshatin e tij të lindjes, në Broboniq të Mitrovicës.

Kadri Veseli është duke u mbajtur në paraburgim në Hagë pasi që i është konfirmuar aktakuza nga Gjykata Speciale në nëntor të vitit 2020.

Ai së bashku me ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi po akuzohen  se mes marsit 1998 deri në shtator 1999 së bashku me anëtarë tjerë kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar si dhe ushtruar kontroll mbi gjithë Kosovën përmes metodave të frikësimit, keqatrajtimit, ushtrimit të dhunës dhe eliminimit të paligjshëm të atyre që i konsideronin kundërshtarë./SHQIP.com