Lajme

Kadri Veseli është nisur drejt Kosovës, pritet të arrijë pasdite

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

Ish-kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, paraditen e së hënës është nisur nga Haga për të ardhur në Kosovë.

Lajmin për Shqip.com, e kanë konfirmuar familjarët e Veselit, që kanë bërë të ditur se ai pritet të arrijë në vend gjatë pasdites.

Ata kanë bërë të ditur se ai ka marrë konfirmimin nga Gjykata Speciale për vizitë në Kosovë, për vetëm 48 orë.

Ndërkaq, ardhja e tij në Kosovë vije pasi që Veselit i ka vdekur nëna, të premten në moshën 93-vjeçare.

Kurse, kjo është hera e tretë që Veseli viziton Kosovën prej kur po mbahet në Hagë që nga viti 2020.

Ndryshe, Veseli për herë të parë nga paraburgimi ishte në Kosovë në maj të 2021-ës për të vizituar babain e tij që ishte në gjendje të rëndë shëndetësore në Spitalin e Mitrovicës.

Për herë të dytë ai erdhi për t’i dhënë lamturën e fundit babait të tij në korrik që tashmë ishte varrosur në fshatin e tij të lindjes, në Broboniq të Mitrovicës.

Kadri Veseli është duke u mbajtur në paraburgim në Hagë pasi që i është konfirmuar aktakuza nga Gjykata Speciale në nëntor të vitit 2020.

Ai së bashku me ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi po akuzohen  se mes marsit 1998 deri në shtator 1999 së bashku me anëtarë tjerë kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar si dhe ushtruar kontroll mbi gjithë Kosovën përmes metodave të frikësimit, keqatrajtimit, ushtrimit të dhunës dhe eliminimit të paligjshëm të atyre që i konsideronin kundërshtarë./SHQIP.com