Lajme Botë

Jordan dhe Scalise do të kandidojnë për kreun e Dhomës së Përfaqësuesve

Ligjvënësi Jim Jordan, një nga kundërshtarët kryesorë të Presidentit demokrat Joe Biden, u bë republikani i parë të mërkurën që shpalli kandidimin për Kryetar të Dhomës së Përfaqësuesve.

Nëse zgjidhet, zoti Jordan do të pasojë në këtë detyrë republikanin tjetër Kevin McCarthy, i cili u shkarkua një ditë më parë nga kjo detyrë, pas një mocioni të paraqitur nga vetë republikanët.

Pas njoftimit të zotit Jordan, edhe ligjvënësi Steve Scalise, republikani numër dy i Dhomës së Përfaqësuesve, njoftoi se do të kandidojë për këtë post.

Krahas tyre priten edhe disa kandidatë të tjerë në një garë që pritet të jetë e gjatë dhe sfiduese, për të plotësuar postin e kreut të Dhomën e Përfaqësuesve, e cila udhëhiqet nga republikanët.

Largimi i zotit McCarthy të martën, nxitur nga një fraksion i republikanëve të skajshëm, përbën herën e parë që kjo Dhomë shkarkon udhëheqësin e saj, nga një pozicion që është i treti në radhë pas presidentit dhe nënpresidentit.

Republikanët kanë caktuar një votim më 11 tetor për të zgjedhur pasardhësin e zotit McCarthy dhe do të takohen një ditë më herët për të dëgjuar kandidatët e tyre.

Zoti Jordan, një konservator i zëshëm , që ka udhëhequr hetimet në Kongres ndaj Presidentit Biden, është i pari që deklaroi publikisht se është i interesuar për këtë pozitë.

“Ne duhet të bashkojmë grupin e ligjvënësve dhe mendoj se mund ta bëjmë këtë”, u tha ai gazetarëve.

Një ish-mundës në kolegj, i njohur për shmangien e veshjeve formale gjatë seancave dëgjimore në Kongres dhe në konferenca shtypi, Jim Jordan, 59 vjeç, fillimisht fitoi peshë si një udhëheqës i zëshëm i krahut të djathtë të partisë, përpara se të krijonte një aleancë me zotin McCarthy.

Si kryetar i Komisionit të Ligjeve, ai është i përfshirë në hetimet që synojnë nisjen e procedurave për shkarkimin e Presidentit Biden.

Një kandidat i mundshëm është edhe Tom Emmer, republikani numër 3 në Dhomën e Përfaqësuesve. Ndërkohë pas shkarkimit të zotit McCarthy është ligjvënësi Patrick McHenry që po shërben përkohësisht në postin e kryetarit.

Beteja për udhëheqësin e Dhomës vjen në një periudhë që Kongresit i duhet të shmangë një mbyllje të pjesshme të qeverisë, e cila do të fillonte më 18 nëntor nëse ligjvënësit nuk miratojnë miratonin projekt-ligjin për buxhetin. /VOA

/Shqip.com