Lajme Botë

Johnson: Putin e paraqet Ukrainën si Millosheviçi dikur Kosovën

Boris Johnson - AFP/Getty Images

Ish-kryeministri britanik, Boris Johnson e krahasoi presidentin rus Vladimir Putin me ish-presidentin e Serbisë, njëherazi i akuzuar për krime lufte, Sllobodan Millosheviçin.

Ai tha se Putin ka gabuar në “mënyrë katastrofike”, kur vendosi të sulmojë Ukrainën.

“Të gjithë ne në qeverinë britanike kemi lexuar esenë e tij për Ukrainën, që e publikoi verën e kaluar. Ai në mënyrë thelbësore e vlerësoi gabimisht Ukrainën. Ishte sikur të lexonit për Sllobodan Millosheviçin që fliste për Kosovën”, tha Johnson në një intervistë për Sky News.

“Millosheviçi mendonte që Kosova është pjesë përbërëse e Serbisë së madhe dhe atdheu shpirtëror i kombit serb. Mendoj që Putini mendon njëjtë për Kievin dhe origjinën e besimit ortodoks”, tha ish-kryeministri britanik, Boris Johnson.

Sipas tij, Ukraina është e pavarur me identitetin e saj.

“Është një gabim total. Ukrainë është një kulturë evropiane e lirë dhe e pavarur me identitetin e saj, me ambiciet dhe fatin e saj. Ai bëri një gabim thelbësor”, tha për fund Johnson.

/Shqip.com