Ekonomi Të dhënat e ASK-së tregojnë se në janar çmimi i tyre ishte 3.09 euro, ndërsa në gusht kishte arritur 3.91.

4.95 euro për 30 kokrra vezë

Çmimi i vezëve

Rritja e çmimeve të produkteve në Kosovë nuk ka të ndalur – e rrugë të njëjtë ka edhe çmimi i vezëve.

Aktualisht në disa marketë të Prishtinës qytetarët po paguajnë 4.95 për 30 kokrra vezë.

Për këtë qytetarë të shumta janë ankuar ku kanë thënë se çmimet janë të papërballueshme.

“Është e papërballueshme për shembull për mu si pensionist është e pamundur me 190 euro, çka duhet të bëjmë, 7 anëtarë jemi”, ka thënë  një pensionist.

Ndërsa një qytetar tjetër, ka ironizuar me situatën duke thënë se shteti nuk po punon dhe pulat nuk po bëjnë ve.

“Me të than të drejtën nuk kam ble dhe nuk po di tash dola pazar, kanë qenë 3.90 edhe hala ka me u rrit, se pulat nuk po bëjnë ve. Shteti nuk po punon, pula nuk po bon ve. Kjo është shumë, tu e marrë parasysh papunësinë, rrogat, grevë, pensionet kurrqysh, 3-4 vjet nuk janë rrit. Standardi shkoj përpjetë deri tek hana, çmimet shkuan e kush e mbërrin në hanë me marrë mallin. Çka bohet tek bohet nuk e di. Sot pata punë me inspeksion tha jemi në grevë, e deri ku do shkon kjo grevë as na se dijmë veç shpresoj rregullohet, kërkoj sukses”.

Një pensioner nga Prishtina

“Po kushtojnë 3.90 euro, 3 euro boll ka qenë çmimi se rrogat e vogla shtrenjtë. Nuk është mirë kjo. Kush ka mundësi i blen, kush nuk ka i shikon dhe i len”, ka thënë një tjetër.

Paralajmërohet sërish rritje e çmimit të vezëve nga biznesët

SHQIP.com ka kontaktuar me një biznes, i cili merret më shitjen e vezëve, ku të njëjtit kanë paralajmëruar përsëri rritje të çmimeve.

Ani pse ato janë vendore, ai tha se rritja po varet nga disa faktorë.

“Krejt rritja e çmimit varet prej rritjes së çmimit të importit të drithërave, naftës, transportit  se qysh ka lëvizje.  Po pritet prapë me pas rritje, dhe veç tash sa ka fillu. Përndryshe ne jemi më komod që më qenë çmimi më i lirë se kemi qarkullim me të madh, me të mirë dhe konsumatori është më i kënaqur”.

Tutje, ai tregon se çmimi i ri ka ndikuar në rënien e shitjes.

 “Me çmimet e reja të rritura patjetër që po kemi probleme me i shitë vezët. Ndryshe është konsumu sasi vjet që ka qenë pandemi dhe ndryshe sivjet. Gjatë kohës së pandemisë kemi qenë shumë ma mirë”.

Nga Agjencia e Statistikave të Kosovës kanë bërë të ditur se çmimi aktual në treg për 30 kokrra vezë është 3.91 cent.

Në bazë të statistikave të dërguara për SHQIP.com shihet se gjatë muajit janar të këtij viti çmimi për një pako ka qenë 3.09 euro, ndërsa në muajin shkurt 3.13, mars 3.65, prill 3.51, maj 3.25, qershor 2.78 si dhe korrik 3.40 euro.

Lidhur me çmimin e tyre në import, Shqip.com ka provuar të marrë përgjigje nga Dogana e Kosovës, por nuk janë deklaruar.

“Qeveria ka humbur rrugën, në aspektin e zgjidhjes ekonomike kanë dështuar”.

Ekonomisti, Mustafë Kadrija

Ndërsa ekonomisti, Mustafë Kadrija ka thënë se këto çmime kanë rënduar jetën e qytetarëve.

“Çdo rritje e çmimeve në produktet e konsumit është shqetësuese. Edhe në këtë rast vezët si produkt elementar në kuzhinë vetëm se e rëndon jetën e qytetarëve, e sidomos të shtresave të varfra. Qeveria e ka humbur rrugën në oborr, pasi me këtë qeverisje ka dështuar në aspektin ekonomik. Qeveria duhet të këtë ide se si të menaxhojë këtë, duke lejuar tërheqjen e TRUST-it, dhe më këtë u lejon që të këtë qarkullim si populli si biznesi dhe të këtë zgjidhje tjera”.

Ai tha se edhe me pakon që ka prezantuar Qeveria ka lënë anash sektorin privat dhe të papunët.

“Pako e fundit është bërë që të manipulohet opinioni, pasi nuk po arrin asnjë efekt. Sektorit privat është duke i bërë padrejtësinë më të madhe dhe të papunëve”.

Kadrijaj tha se Qeveria është dashur që më këto pako t’i shpërblejë të papunët, ndërsa më lejimin e TRUST-it ndihmohen të tjerët.

Lidhur me një organizim të mundshëm të bizneseve për rritjen e çmimit të tyre, Shqip.com ka provuar të marrë një përgjigje nga Autoriteti i Konkurrencës, por të njëjtit nuk janë përgjigjur.

Kryeministri, Albin Kurti

Ndryshe, kryeministri, Albin Kurti ka prezantuar pakon e re për përballjen e inflacionit.

Lidhur më këtë Kurti ka bërë të ditur se për pensionistët do të ndahet shuma prej 100 euro, për zyrtarët publik do t’i ndajmë nga 50 euro nga muaji shtator.

Po ashtu i pari i Qeverisë ka bërë të ditur se 80 % e qytetarëve janë të punësuar në sektorin privat.

Lexo edhe:
Kurti-Murati prezantojnë pakon prej mbi 100 milionë euro ndihmë për këto kategori

Ministri i Financave, Hekuran Murati ka thënë se do të subvencionohet gjysma nga ana e pushtetit për tre muaj radhazi për biznesët që ngrisin pagat e punëtorëve.

“Do të kenë mbështetje. I bëj thirrje bizneseve dhe punëtorët që të bëhet kjo rritje e pagës. Dhe ne do të mbështesim për tre muajt e ardhshëm. Sa i përket studentëve, ne do të iu njoftojmë ditëve në vijim sa i përket formularit të aplikimit. Do t’i mbështesim qytetarët”, tha ai në një konferencë për media.

Po ashtu për studentët pritet të shpërndahen 100 euro./Shqip.com