Lajme

Jep dorëheqje anëtari i bordit të RTK-së

Bordi i RTK-së

Bekim Sele ka dhënë dorëheqje nga pozita e anëtarit të bordit të Radiotelevizionit të Kosovës.

Në letrën e dorëheqjes, Sela ka thënë se fokusin do ta ketë në film dhe çështjet tjera akademike.

“Përmes këtij e-maili ju informoj për dorëheqjen time nga pozita e anëtarit të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës! Arsyeja e dorëheqjes ka të bëjë kryesisht me punën time profesionale, me theks të veçantë, angazhimin në sferat e filmit dhe në punët e tjera akademike”, thuhet në letrën e dorëheqjes.

Bekim Sele

Kush është Bekim Sele?

Sele me profesion është regjisor dhe mban titullin Doktor i Arteve.

Aktualisht është ligjërues në Fakultetin e Arteve në Universitetin ‘Hasan Prishtina’, njëkohësisht edhe ligjërues në UBT dhe është zyrtar i lartë për arte në Komunën e Prishtinës.

Ai ka qenë profesor edhe në Fakultetin e Arteve në Universitetin, ‘Haxhi Zeka’ në Pejë, si dhe ka shkruar artikuj të ndryshëm për disa media në Kosovë.

Sele është regjisor i shumë filmave të realizuar në Kosovë, ndër ta edhe filmi dokumentar shkencor-artistik, ‘Gjurmë’.

Bordi i RTK-së

Bordi i RTK-së, ishte zgjedhur nga Kuvendi i Kosovës në dhjetor të vitit 2021.

Kryetar i këtij Bordi është Besnik Boletini ndërsa anëtarë janë Fatime Lumi-Qehaja, Arta Berisha, Albulena Mehmeti, Shukrie Rama, Driton Hetemi dhe Safet Kabashaj.

Ndryshe, më 22 mars, Bordi ka vendosur ta anulojë konkursin për Drejtor të Përgjithshëm të RTK-së me arsyetimin se baza aktuale ligjore nuk mundëson zgjedhjen e një drejtori të ligjshëm.

Ndërsa, seri në rishpalljen e konkursit dhe emërimin e drejtorit të ri, Shkumbin Ahmetxhekaj do të vazhdojë ushtrimin e detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të RTK-së./Shqip.com