Lajme

Jashari: Memoriali është i hapur edhe për ata që nuk e njohin gjenocidin serb, “Shqiponjat e Zeza” realizuan një aksion jo të menduar aq mirë

Bekim Jashari

Bekim Jashari, anëtar i familjes Jashari, ka dalë kundër pengimit që i është bërë disa studentëve ndërkombëtarë për ta vizituar Prekazin, të dielën.

Ish-kryetari i Skenderajt, ka thënë se “aksioni i sotëm pos që është në kundërshtim me traditën shqiptare në raport me mysafirin, bie ndesh edhe me qëndrimet tona si familje”.

“Jam i shqetësuar me disa pamje që tani shikova ku shihet se janë penguar për ta vizituar Kompleksin Memorial “Adem Jashari” disa studentë nderkombëtar, mysafirë në Kosovë, të cilët do të kishin rastin që për së afermi të njihen me luftën, sakricën dhe historinë e familjes, e në veçanti të rinjve të familjes sonë që kur ishin në moshën edhe me të re se të këtyre vizitorëve dhanë më të shtrenjtën jetë që bashkëmoshatarët e tyre të jetojnë e veprojnë të lirë”, ka shkruar Jashari në Facebook.

Ai ka shtuar se “Memoriali i përket sakrificës dhe rezistencës për liri dhe si i tillë është vend i duhur për çdokënd që dëshiron të dijë vlerën e lirisë, duke përfshirë edhe ata që tani distancohen dhe njohin gjenocidin serb në Kosovë”.

Në fund, Jashari ka thënë se reagimi i “Shqiponjave të Zeza” ka qenë i nxitur nga titujt në media “dhe nga emocionet realizuan një aksion jo të menduar aq mirë por gjithsesi pa ndonjë qëllim të keq, andaj edhe duhet mirëkuptuar”, ka shkruar ai.

Tifozët “Shqiponjat e Zeza”

Tifozët e skuadrës së Drenicës, “Shqiponjat e Zeza” nuk i kanë lejuar disa studentë serbë të hyjnë në Prekaz.

Ky tifo-grup përmes një postimi në rrjetet sociale kanë thënë se ata nuk do të lejojnë që studentët të kalojnë.

Më vonë, kjo tifozëri ka shpjeguar se studentët të cilët nuk janë lejuar të hyjnë në Prekaz – kanë qenë vetëm ata që nuk kanë pranuar të tregojnë mjetet indetifikuese./Shqip.com

Lexo edhe:
“Shqiponjat e Zeza” e sqarojnë ngjarjen e ndodhur sot – në Prekaz