Lajme

Jashari: KQZ, PZAP dhe Gjykata Supreme heshtën para manipulimit të zgjedhjeve në Skenderaj

Bekim Jashari

Kandidati për kryetar të Skenderajt, Bekim Jashari, ka thënë se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Paneli për Ankesa dhe Parashtresa si dhe Gjykata Supreme “heshtën para manipulimeve”, duke iu referuar zgjedhjeve të 17 tetorit në Skenderaj.

Jashari, ka thënë se përkundër “parregullsive”, ishin 9236 qytetarë që e mbështetën atë.

“Përkrahja e këtyre qytetarëve na mundësoi që në kuvendin komunal të Skenderajt të kemi 10 asamblistë të cilët do t’i përfaqësojnë denjësisht qytetarët dhe interesat e tyre të përgjithshme”, ka thënë ndër tjerash Jashari.

Partia Demokratike e Kosovës, doli e para në Skenderaj, duke lënë pas “Idealin” e Bekim Jasharit.

Por, Jashari ishte ankuar se “ka pasur presion dhe blere votash”.

Në çdo institucion ku u ankua, Jashari mori përgjigje negative.

Kështu, Fadil Nura do të jetë kryetari i ardhshëm i Skenderajt.

Lexo edhe:
Jashari e akuzoi PDK-në për “manipulim”, Nura për Shqip.com: Nuk di ndonjë proces më të rregullt zgjedhor

Kandidaturën nuk e kishte pritur as vetë Nura, pasi kandidaturën e kishte shpallur Sami Lushtaku.

Por, Lushtakut rrugës i doli një problem; pengesat ligjore.

Kjo pasi, Gjykata Kushtetuese nxorri në dhjetor të vitit 2020 një verdikt që ndalon kandidimin në zgjedhje nëse je i dënuar me burg në tri vitet e fundit. /Shqip.com