Lajme

Jasharaj për koeficientin: S’po di çka t’i them anëtarësisë, është krijuar huti

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jashari

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj, ka folur edhe njëherë për koeficientin për Ligjin e Pagave.

Ai tha se vazhdimisht po pyetet nga ana e anëtarësisë se cili do të jetë koeficienti në Ligjin e Pagave.

Jasharaj thotë se janë të shqetësuar që po mbahet fshehtë koeficienti, duke shtuar se në një takim që kanë pasur me kryeministrin u është përmendur vlera prej 12o euro, por që nuk dihet ende.

Ai ka uruar që koeficienti të jetë i pranueshëm për të gjithë dhe të ketë rritje të pagave në të gjithë sektorët.

“Kur është pyetja të koeficienti, po e them jo vetëm ne si SBAShK po edhe sindikatat tjera janë të shqetësuara sepse duke mos e ditur koeficientin ne edhe nuk mund t’i tregojmë anëtarësisë se sa do të jetë paga e tyre, pavarësisht faktit se numrin e koeficienteve e dimë. Në një takim që e ka pasur kryetari i bashkimit të sindikatave të Kosovës, zotëri Atdhe Hykolli me kryeministrin na është thënë se ai ka premtuar se në muajin janar do të publikohet zyrtarisht koeficienti, e opinioni e di edhe mediat e dinë, janë përfolur disa koeficiente, dikush ka thënë 120 euro, dikush pak më shumë se kjo, dikush pak më pak dhe kjo ka krijuar edhe një huti dhe të iu themi të vërtetën për momentin ne edhe nuk kemi përgjigje kur anëtarësia na bëjnë pyetjen sa do të jetë paga e tyre, por jemi të sigurt se pozicioni i sektorit të arsimit është në nivel të duhur mes koeficienteve ashtu edhe siç e kemi pasur versionin tonë”, thotë Jashari.

Lexo edhe:
Publikohet në Gazetën Zyrtare Ligji i Pagave

Në anën tjetër, Instituti i Kosovës për Drejtësi ka deponuar tek Avokati i Popullit kërkesë për fillimin e hetimeve për shkelje të të drejtave të njeriut dhe inicim në Gjykatën Kushtetuese të Ligjit NR. 08/L-196 për Pagat në Sektorin Publik.

Përkundër kundërshtive të mëdha për këtë ligj, Ligji i Pagave tashmë është i plotfuqishëm me publikimin në Gazetën Zyrtare.

Lexo edhe:
IKD kërkon që Ligji për Pagat të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese

Megjithatë, në dokumentin e Ligjit për Paga nuk bëhet e ditur vlera e koeficientit. Zyrtarët qeveritarë kanë bërë të ditur se kjo vlerë do të publikohet përgjatë janarit.

Koeficientin më të lartë, sipas Ligjit për Pagat, do ta ketë Presidentja e Kosovës – 18.0.

/Shqip.com