Lajme

Jasharaj: Greva do të vazhdoj, viti i ri shkollor nuk do të filloj nesër

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj ka thënë se greva do të vazhdoj dhe se viti i ri shkollor nuk do të filloj ditën e hënë.

Përmes një lidhje direkte në RTK, Jasharaj ka thënë se është kërkesë e anëtarësisë që nëse nuk ka dialog, greva të mos ndërpritet.

“Ka qenë kërkesë e anëtarësisë që nëse nuk arrihet dialogu të kemi grevë. Greva ka filluar me 25 gusht dhe vazhdon ngase nuk e kemi asnjë takim serioz. Kjo pakoja që përmendet, ne e përgëzojmë Qeverinë që po i ndihmojnë të gjithëve por kjo nuk është realizim i kërkesave tona”, tha Jasharaj.

Lexo edhe:
MASHTI fton mësimdhënësit dhe punëtorët e arsimit që nga nesër të fillojnë vitin e ri shkollor

Por, për kërkesën e MASHTI-t ndaj mësimdhënësve që nesër të filoj viti i ri shkollor, Jasharaj tha se kjo ministri është dashur që të angazhohet që të ndikoj tek Qeveria që të ketë dialog me grevistët.

“Ne kemi bërë aktivitete dhe angazhime dhe Ministria e Arsimit është dashur që angazhimet t’i orientoj në mënyrë që të ndikoj të Qeveria për dialog i cili ka munguar dhe po mungon deri tani”.

Sipas Jasharajt, ata kishin shpresë edhe tek presidentja e Kosovës Vjosa Osmani por që nga takimi me të nuk pati asgjë konkrete.

“Ne kishim pak shpresë në takimet që i organizoi presidentja e Kosovës ku ishim në atë takim dhe unë isha si kryetar i BSPK-së ku ja shpjeguam dhe i treguam për të gjitha hallet që kemi dhe kërkesat tona duke e lutur presidenten që të ndikoj që të kemi dialog por nga takimi nuk morëm ndonjë gjë konkrete”.

Lidhur me kërkesën e kryetarëve të komunave në të cilat udhëheq Vetëvendosja që prindërit t’i dërgojnë në shkollë fëmijët e tyre si dhe mësimdhënësit të fillojnë punën, Jasharaj tha se koleget e tij nuk do të luhatën përballë presioneve politike.

“Unë e di se kolegët e mi nuk do të luhatën as ndaj presioneve, vet fakti që komunat që administrohen nga LVV janë takuar është mirë, por ato është dashur që t’i drejtohen kryeministrit me lutjen që të dialogohet”.

Tutje, Jasharaj tha e keqja e gjithë kësaj situate është edhe kërkesa e Ministrisë së Arsimit që prindërit t’i dërgojnë fëmijët në shkollë kur nuk ka se kush t’i mësoj ata dhe kjo konsiderohet presion./Shqip.com