Lajme

Jasharaj e fton Kurtin që të bëhet kryetar i SBASHK-ut

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj, e ka ftuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, që të bëhet kryetar i SBASHK-ut, përcjell Shqip.com.

Këto deklarata ai i ka bërë duke thënë se nëse “kryeministrit i duket atraktive sindikata ka të drejtë të anëtarësohet në SBASHK” e më pas thotë se e fiton të drejtën edhe kandidat për kryetar.

Tutje, Jasharaj e ka vlerësuar të gabuar qasjen e Kurtit, karshi sindikatave të Kosovës duke thënë se nuk duhet të ndërhyjë në sindikata, derisa potencon se ka shumë punë për të bërë në Qeveri për përmirësimin e kushteve për mësimdhënësit.

“Nëse aq shumë i duket atraktive sindikata ka të drejtë të anëtarësohet në SBASHK, pastaj e fiton të drejtën të kandidohet, do të jetë kundërkandidat i imi, nëse anëtarësia e voton unë ia bëj ‘përhajër’ e atëherë le ta udhëheq edhe qeverinë edhe sindikatën.

Do të jetë rasti unik që një kryeministër po i udhëheq edhe sindikatat. Në të kundërtën, le ta udhëheq qeverinë, ne nuk i përzihemi dhe asnjëherë nuk kemi tendenca për të krijuar probleme të mëdha”, tha Jasharaj.

Jasharaj theksoi se asnjëherë nuk do të jap dorëheqje nga posti që e mban për shkak të kritikave që i merr nga ana e Qeverisë, por që këtë do ta bëjë vetëm nëse ia kërkon anëtarësia.

“Asnjëherë nuk do të jap dorëheqje pse e kërkon qeveria e për kërkesa të qeverisë, dorëheqja ime do të jetë publike nëse për këtë thotë anëtarësia. Prilli po vjen dhe thash nga takimet që i kemi me nivelet komunale unë e kam përkrahjen e plotë pa bërë fushatë dhe këtë përkrahje, këtë besim të tyre do ta mbaj dhe do ta realizoj”, tha Jasharaj.

Ndryshe, para disa ditësh, kryeministri kosovar ka adresuar kritika te krerët e sindikatave të Kosovës duke i fajësuar për gjendjen në arsim dhe shëndetësi.

Kritikat e tij kanë ardhur pas paralajmërimit që sindikatat e ndryshme i kanë bërë për protesta e greva, duke kërkuar miratimin e Ligjit të Pagave./SHQIP.com