Lajme

Jasharaj: Çdo shtyrje e vitit të ri shkollor do të sjellë probleme

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës, e cila ende nuk ka marrë vendim nëse viti i ri shkollor do të nis më 13 shtator, ditë e hënë.

Sipas tij, çdo shtyrje tjetër e vitit shkollor do të sjellë probleme.

“Ky do të jetë problem shtesë nëse shtyhet mësimi, ngase pyetja e parë bie se si do të zëvendësohen gjithë këto ditë, ngase sot Qeveria do të dalë me një vendim të prerë, unë po e them atë që e kam obligim, punëtorët e arsimit jo vetëm tani por edhe para 1 shtatori kanë shprehur gatishmërinë të ia nisin mësimin”, pohoi ai.

Sa i përket vaksinimit të mësimdhënësve, Jasharaj bëri të ditur se mbi 90 për qind e punëtorëve arsimor tashmë janë vaksinuar.

Duke folur për situatën e krijuar, Jasharaj tha se nëse kalohet në mësimin online, mësimdhënësit duhet të kenë kohë të përgatiten.

“Nëse kalojnë në mësimin online, atëherë mësimdhënësit duhet të kenë afat dy tri ditë të përgatiten, sepse shumica nuk kanë laptopë, po ashtu edhe prindërit duhet të përgatiten. Ky vit shkollor është më i vështiri nga të gjithë, pasi vitin e kaluar i ka prekur të moshuarit, kurse tani është i pamëshirshëm edhe për fëmijët edhe moshat e reja. Ky është një problem shtesë, dhe unë uroj që ata që janë deklaruar se janë të gatshëm të filloj procesi mësimor, të kenë përgatitjen e duhur”, theksoi ai për Telegrafin.

Lexo edhe:
Viti i ri shkollor shtyhet deri më 26 shtator

Gjatë bisedës, Jasharaj tha se janë të gatshëm edhe nëse kalohet në mësimin online, por që gjithçka varet nga IKSHPK dhe Qeveria.

Ndryshe, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, në takim që ka pasur me kryetarët e komunave ka propozuar që fillimi i vitit të ri shkollor të shtyhet deri më 26 shtator./SHQIP.com