Lajme Gazetari Xhevdet Pozhari tha për Shqip.com se fushata e tij “Dinjitet për pensionistët”, synon largimin e obligimit që të paraqitën fizikisht pensionistët për të dëshmuar se janë gjallë si dhe subvencionimi deri sa të krijohet ligji që siguron pension të dinjitetshëm.

“Jam gjallë”- rutina çdo gjashtë mujore e një pensionisti

Foto ilustruese

Çdo gjashtë muaj, 72-vjecari Ramë Rama detyrimisht duhet të marrë rrugën drejt Departamentit të Pensioneve.

Gjithë kjo, për të dëshmuar se është i gjallë dhe t’i vazhdohet pensioni.

Por, kjo rutinë prej vitesh thotë t’i duket e mundimshme pasi pritjet janë të gjata.

“Çdo gjashtë muaj na duhet me u paraqitë që jemi gjallë. Po është shumë e lodhshme për neve se i kemi bërë edhe disa vite e po e kemi edhe shumë të vështirë me pritë”, tha Rama.

Sipas Ramës, jo vetëm që po humbin kohë ata por po ju humbin kohë edhe shoqëruesve të tyre.

“Unë shkoj me nipin çdo herë, po na bie me pritë shumë, po humbi kohë. Po ashtu, edhe nipit po ja marrë kohën e tij”.

Fushata “Dinjitet për pensionistët”

Për këtë, gazetari Xhevdet Pozhari ka filluar fushatën të quajtur “Dinjitet për pensionistët”, me dy qëllime konkrete.

Përmes një përgjigje për Shqip.com, Pozhari ka thënë se njëra nga kërkesat është që të largohet obligimi që pensionistët të paraqitën fizikisht për të dëshmuar se janë gjallë.

“Kërkesa e parë është njerëzore dhe ka të bëjë me eliminimin e procedurave burokratike të cilat janë tejet poshtëruese që ata të paraqitën çdo gjashtë muaj për të dëshmuar se janë gjallë dhe pra kjo është thjeshtë kërkesë njerëzore që të largohet ky kusht për pensionistët”, tha Pozhari.

Kurse, kërkesa e dytë ka të bëjë me subvencionimin e pensioneve.

“Kërkesa e dytë dhe e fundit të kësaj fushate është që në këtë periudhë të inflacionit të subvencionohet kjo kategori nga Qeveria me shtesa të vazhdueshme çdo muaj deri në hyrje në fuqi të ligjit i cili do të garantoj pensione më dinjitoze për ta”.

Ai tregon se ka marrë përkrahje nga ministrja e Ministrisë së Drejtësisë, Albulena Haxhiun pasi kjo fushatë kalon bindjet politike.

“Unë e kam kontaktuar dhe i jam lutur që të përkrahë këtë fushatë e cila kalon ndasitë pozitë-opozitë dhe i tejkalon bindjet politike, partiake dhe thjeshtë është njerëzore e nevojë urgjente që vëmendja të kthehet tek kjo kategori e shoqërisë tonë”.

Gazetari tha se ideja ishte spontane dhe prej vullnetit të lirë që për prindër dhe gjyshër të lehtësohen rrethanat e veçanërisht në këtë periudhë ku po përballemi me inflacion.

Lexo edhe:
Pensionistet mund të paraqiten fizikisht edhe gjatë kësaj fundjave në departamentet pensionale

Kujtojmë se afati i fundit për paraqitje fizike të pensionistëve në Departamentet e Pensionistëve ka qenë me datën 14 gusht të këtij viti.

Sipas Ministrisë së Financave, Punëve dhe Transferëve është thënë se personat të cilët nuk paraqiten fizikisht për të dëshmuar që janë gjallë, pagesa e tyre mujore do të ndalët në përpurthje me dispozitat ligjore./Shqip.com