Lajme

Jack Smith zëvendësohet nga prokurori që kryesoi hetimet në gjykimin e Fatmir Limajt në Hagë

Alex Whiting do ta zëvendësojë Jack Smithit dhe ka marrë pozitën si ushtrues detyre i Prokurorit të Specializuar në Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Ai do të ushtrojë funksionin deri në emërtimin e një Prokurori të Specializuar të ri.

Prokuroria Speciale e Hagës përmes një njoftimi për media ka thënë se ai ka saktësisht të njëjtat kompetenca me ato të një Prokurori të Specializuar dhe nuk do të ketë ndërprerje të punës së ZPS-së në asnjë aspekt.

Tutje kanë treguar edhe biografinë dhe përvojën e Whiting, duke treguar se mes viteve 2002 dhe 2007 ka qenë Kryeprokuror në rastin e gjykimit të Fatmir Limajt, Isak Musliut dhe Haradinj Balës.

Whiting, 58 vjeç, është prokuror me kombësi franko-amerikane me përvojë të gjerë në procedime penale në nivel vendor dhe ndërkombëtar. Ka punuar në ZPS që nga qershori i vitit 2019, fillimisht si Udhëheqës i Hetimeve, dhe duke filluar nga muaji gusht 2020 si zëvëndësprokuror i Specializuar.

Midis vitit 2010 dhe 2013, Whiting ka qenë pjesë e Zyrës së Prokurorit në GJPN ku ka punuar fillimisht si Koordinator i Hetimeve, duke mbikëqyrur të gjitha hetimet, dhe pastaj si Koordinator i Procedimeve Penale, duke mbikëqyrur të gjitha ndjekjet penale.

Midis vitit 2002 dhe 2007, Whiting ka punuar për Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (TPNJ) ku ka qenë kryeprokurori i çështjes në gjykimin e Fatmir Limaj, Isak Musliu, dhe Haradin Bala, dhe kryeprokuror i çështjes në gjykimet e Milan Martiq dhe Dragomir Millosheviq.

Lexo edhe:
Kryeprokurori Smith lë Specialen, do ta hetojë Donald Trump-in

Smith largohet nga ZPS-ja dhe merr postin e Këshilltarit Special në Shtetet e Bashkuara për të mbikqyrur dy hetime penale në zhvillim, i emëruar në këtë post nga Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, Merrick B. Garland.

Mediat amerikane kanë konfirmuar se ai do të jetë këshilltari special në hetimet ndaj ish-presidentit, Donald Trump.

Smith hetoi krimet e luftës të kryera gjatë Luftës së Kosovës.

/Shqip.com