Lajme

Ish-ministri Zemaj: Ju lutem me gjithë shpirt që të vaksinoheni

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj

Ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka reaguar pas rritjeve të rasteve të reja me COVID-19 gjatë ditëve të fundit.

Zemaj i lutet qytetarëve që të gjithë të vaksinohen kundër COVID-19, pasi që sipas tij këto shifra janë alarmante.

“Sot, edhe më keq: 1.128 raste të reja me virusin Covid-19 dhe 3 raste të vdekjes. Kjo është alarmante! Qytetarë të dashur, Ju lutem me gjithë shpirt: Respektoni rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike. Ju lutem me gjithë shpirt: VAKSINOHUNI. Edhe përkundër menaxhimit të dobët në qendrat e vaksinimit, ju lutem që të keni durim dhe të merrni vaksinën. Mbani maskat! Respektoni distancën! Mbani higjienën!”, ka shkruar Zemaj.

Gjatë ditës së sotme në vend janë regjistruar një mijë e 128 raste pozitive dhe tri viktima.

Kjo është shifra më e lartë e infeksioneve të regjistruara brenda një dite që nga shpërthimi i pandemisë në vend.

Sipas të dhënave nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, të premten janë shëruar 46 qytetarë, derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve është 106 mijë e 9 persona.

Ndërsa, në 24 orët e fundit janë dhënë 19 mijë e 248 doza të vaksinës kundër COVID-19./SHQIP.com