Lajme Botë

Ish-kryeministri pro rus fitues i zgjedhjeve në Sllovaki

Një ish-kryeministër populist dhe partia e tij e majtë fituan zgjedhjet parlamentare në Sllovaki, duke shënuar një rikthim politik pas fushatës së mbështetur në mesazhet pro ruse dhe anti amerikane.

Me 99.2 për qind të votave të numëruara Zyra e Statistikave sllovake, ish kryeministri Robert Fico dhe partia e majtë Smer, kryesojnë me 23.3 për qind të votave.

Zgjedhjet e së shtunës ishin një provë për mbështetjen e vendit të vogël të Evropës Lindore për Ukrainën fqinje në luftën e saj me Rusinë, dhe fitorja e Ficos mund të dëmtojë unitetin e brishtë të Bashkimit Evropian dhe NATO-s.

Robert Fico, 59 vjeç, u zotua t’i jap fund mbështetjes ushtarake të Sllovakisë për Ukrainën në luftën e saj me Rusinë, nëse fiton zgjedhjet.

Vendi prej 5.5 milionë banorësh që u pavarësua në vitin 1993 pas shpërbërjes së Çekosllovakisë ka qenë një mbështetës i vendosur i Ukrainës që nga agresioni rus, duke dhuruar armë dhe duke hapur kufijtë për refugjatët ukrainas.

Meqë asnjë parti nuk ka fituar shumicën e vendeve, do të duhet një qeveri koalicioni. Presidenti tradicionalisht i kërkon fituesit të zgjedhjeve që të përpiqet të formojë një qeveri, kështu që Robert Fico ka gjasa të bëhet sërish kryeministër. Ai shërbeu në këtë post në vitet 2006-2010 dhe përsëri në periudhën 2012-2018.

Një forcë e re liberale, pro perëndimore, partia Sllovakia Progresive, doli e dyta me 17 për qind të votave.

Partia e majtë Hlas, e udhëhequr nga ish zëvendësi i Ficos në partinë Smer, Peter Pellegrini, doli e treta 15 për qind të votave. Zoti Pellegrini u nda me Robert Ficon pasi partia Smer humbi zgjedhjet e mëparshme në vitin 2020, por ribashkimi i tyre i mundshëm do të rriste shanset e zotit Fico për të formuar një qeveri.

Një tjetër partner i mundshëm i koalicionit, Partia Kombëtare Sllovake ultranacionaliste, një grup qartazi pro rus, mori 5.7 për qind të votave.

Këto tri parti do të kishin një shumicë parlamentare nëse do të bashkonin forcat në një qeveri koalicioni.

Robert Fico kundërshton sanksionet e BE-së ndaj Rusisë, vë në dyshim nëse Ukraina mund të largojë trupat pushtuese ruse dhe dëshiron të bllokojë anëtarësimin e Ukrainës në NATO.

Ai propozon që në vend që të dërgojnë armë në Kiev, BE-ja dhe SHBA-ja duhet të përdorin ndikimin e tyre për të detyruar Rusinë dhe Ukrainën të arrijnë një marrëveshje kompromisi të paqes. /VOA

/Shqip.com