Lajme

Ish-kryeinspektori: Qeveria ka mjaftueshëm mekanizma për të ndërhyrë në çmime  

Lufta në mes Ukrainës dhe Rusisë, ka ndikuar në ngritjen e çmimeve edhe në Kosovë.

Mirëpo, brenda ditës ka ndodhur ngritja e çmimeve nëpër markete deri dy herë të produkteve ushqimore.

Mirëpo, për zëvendësministrin e Tregtisë dhe Industrisë, Getoar Mjeku, shteti nuk ka mekanizma të mjaftueshëm për t’i kufizuar çmimet që po ngritën brenda ditës.

“Duhet me pranuar që mekanizmat tanë janë të kufizuar”, ka thënë Mjeku, duke u arsyetuar për mos ndërhyrjen.

“Në këtë rast ne nuk kemi një mekanizëm që na lejon me kontrolluar çmimin e produkteve në treg”, ka thënë Mjeku për RTK.

Mirëpo, kjo rezulton të jetë e pavërtetë, sepse Inspektorati i Tregut në fakt mbikëqyr çmimet e tregut nëpër markete.

Ish- kryeinspektori i Tregtisë dhe Industrisë, Lulzim Syla, ka thënë për Shqip.com se në raste të tilla, inspektorati i Tregut e ka në përgjegjësi monitorimin e çmimeve dhe ta parandalojë mashtrimin.

“Në rast se ka manipulim me çmime, produkte që shtrenjtohen brenda ditës, atëherë Inspektorati i Tregut e ka nën përgjegjësi të ndërhyj për t’i parandaluar manipulimet. Mirëpo, kjo qeveri nuk po tregon që dinë të menaxhojë në situata të tilla.  Ne e kemi dëshmuar se edhe më herët kemi pasur raste kur kemi monitoruar çmimet, kur është dyshuar se po ngritën pa arsye, si në rastin e taksës 100 për qind. Tregtarët e shfrytëzojnë rastin për ngritje të çmimeve, por shteti ka mekanizma për të ndërhyrë, andaj me bindje them se ka bazë ligjore, por ata që po drejton këtë shtet janë të padijshëm fatkeqësisht”, ka thënë Syla.

Syla ka thënë se Qeveria e ka për detyrë mbrojtjen e qytetarëve.

Lexo edhe:

“Barra bie mbi qeverinë dhe ministrinë, sepse nëse tregtarët e sfidojnë shtetin, dështon zinxhiri shtetëror. Duhet të shihet se këto ngritje të çmimeve a po bëhet me qëllim, a po dëmtohen qytetarët, kush po përfiton më shumë. Shteti ka mekanizma mjaftueshëm”, ka thënë Syla.

Ai ka treguar se në kohën kur është vendosur taska 100 për qind nga Qeveria Haradinaj, kishin monitoruar vazhdimisht çmimet.

“Kishte lindur nevoja për t’i monitoruar çmimet kur është vendosur taksa, sepse mund të shfrytëzohej nga tregtarët për përfitime të shpejta dhe për këto kemi mjaftueshëm dëshmi, sepse kemi pasur raste kur çmimet i kemi monitoruar me media”, ka thënë Syla për Shqip.com.

Lexo edhe:

Ligji për Tregti të Brendshme, parasheh që kur ka manipulim me çmime, inspektorati mund të ndërhyj.

Në nenin  45 të këtij ligji saktësohet që tregtarët janë të obliguar që t’i paraqesin çmimet e sakta.

“Bërja publike e deklaratave jo të sakta në lidhje me cilësinë, origjinën, mjetet e prodhimit, çmimet e mallit, burimin e furnizimit, rekomandimin (reklamimin) e mallrave, arsyeja e shitjes ose sasia e mallit, të cilat mund të krijojnë përshtypje të rremë të një oferte të favorshme për konsumatorët”.

Ndërsa në nenin 59 të këtij ligji parashihen edhe dispozitat ndëshkuese në rastet kur tregtarët bëjnë mashtrime./Shqip.com

Lexo edhe: