Lajme Botë

Ish-kancelari austriak, Sebastian Kurz lë politikën

Kancelari austriak, Sebastian Kurz

Ish-kancelari austriak, Sebastian Kurz, njoftoi të enjten largimin nga politika.

Lideri 35-vjeçar i Partisë Popullore konservatore (ÖVP) shërbeu si kancelar nga 2017 deri në 2019 dhe përsëri nga 2020 deri në 2021.

Ai la postin në fillim të këtij viti pasi u përfshi në një hetim korrupsioni. 

Mandati i tij i parë në detyrë përfundoi në mënyrë të ngjashme, pas të ashtuquajturit Skandali Ibiza.

“Unë jam jashtëzakonisht mirënjohës për këtë kohë, për të gjitha përvojat … dhe shpresoj shumë që kam dhënë kontributin tim për ta çuar pak Austrinë tonë të bukur në drejtimin e duhur,” u tha Kurz gazetarëve në një konferencë shtypi në Vjenë.

Kancelari austriak Sebastian Kurz jep dorëheqjen

Kurz u bë baba muajin e kaluar. Në deklaratën e tij, tha se po tërhiqej nga politika për t’u fokusuar tek familja.

“Mund të shikosh një fëmijë për orë të tëra”, tha ish-kancelari, duke shtuar se do të merrte gruan dhe djalin e tij nga spitali pas konferencës për shtyp. 

“Mbi të gjitha, mezi pres të kaloj kohë me fëmijën dhe familjen time dhe do ta shijoj shumë këtë para se t’i përkushtohem personalisht detyrave të reja profesionale në vitin e ri”, tha ai.

Arsye tjetër e dorëheqjes së tij janë kritikat dhe akuzat për korrupsion.

“Si kancelar, ju keni kaq shumë vendime që duhet të merrni çdo ditë, saqë e dini që herët se do të merrni edhe vendime të gabuara”.

“Ju jeni gjithmonë nën vëzhgim. Ju gjithashtu vazhdimisht keni ndjenjën se jeni duke u ‘gjuajtur’”, shtoi Kurz./SHQIP.com