Lajme

Ish-drejtori i Inspektoratit në Prizren, Islam Thaqi pas dënimit me burgim kërkon hetim të trupit gjykues

Ish-drejtori i Inspektoratit në Prizren, Islam Thaqi

Gjykata Themelore e Prizrenit, sot ka dënuar me burgim ish-drejtorin e Inspektoratit në Prizren, Islam Thaqin për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Ndaj tij u shqiptua dënimi me 3 vite burg dhe dy mijë euro gjobë për rastin e rrënimit të aneksit të “ABI Çarshisë”, më 19 dhe 21 korrik 2019.

Thaqi i pyetur nga SHQIP.com rreth vendimit të Gjykatës Themelore, ka thënë që nuk ka koment rreth kësaj çështje.

Derisa, ka hedhur dyshime rreth trupit gjykues për të cilën ka ftuar mediat për të nisur hetime në avancimet e fundit në këtë gjykatë.

“Mirë do ishte me i hulumtu avancimet e muajve të fundit para vendimit të sotëm. Në veçanti të trupit gjykues”, u shpreh ai për SHQIP.com.

Lexo edhe:
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje dënohet me 3 vite burg

Theksojmë se Gjykata Themelore në Prizren të martën e ka dënuar edhe ish-udhëheqësen e sektorit të Ndërtimtarisë, aktualisht deputete e Lëvizjes Vetëvendosje, Jetmire Vrenezi.

Ajo u dënua me 3 vjet burgim dhe me 2.000 euro gjobë.

Të akuzuarit tjerë në këtë rast: Egzona Morina- Thaçi, Arian Taraku, Isë Bislimaj, dhe Shqipron Krasniqi janë liruar nga akuzat.

Prokuroria Themelore e Prizrenit pati nisur hetimet për drejtorin e Inspeksionit në këtë komunë dhe disa inspektorë, për vendimin e tyre që të rrënojnë një pjesë të “Abi Çarshisë”, ndonëse i dëmtuarit kishte dorëzuar aplikacionin për legalizim./Shqip.com