Lajme

IPK merr vendim për policin që plagosi të dyshuarin për vrasje në Ferizaj

Inspektorati Policor i Kosovës

Është kthyer në punë zyrtari policor i cili e ka plagosur Q.J në Ferizaj, pasi që ky i fundit dyshohet se ka vrarë 30-vjeçarin G.H.

Kështu ka bërë të ditur për Shqip.com, kryeshefi i Inspektoratit Policor të Kosovës, Kushtrim Hodaj, që sipas tij, zyrtari policor fillimisht ishte suspenduar për 72 orë, por pas vëzhgimit të pamjeve, IPK-ja ka vendosur që të mos rekomandojë vazhdimin e suspendimit.

“Fillimisht ishte vlerësuar nga hetuesi që zyrtari policor të suspendohet për 72 orë, deri në sqarimin e rrethanave të rastit. Por, pas verifikimit të pamjeve filmike, IPK ka vendosur që mos të rekomandojë vazhdimin e suspendimit, ndërkaq rasti do të hetohet në procedurë të rregullt, sipas autorizimeve të Prokurorisë”, ka deklaruar Hodaj.

Dy ditë më parë në rrugën “Rexhep Bislimi”, Q.J dyshohet se kishte shtënë me armë zjarri ndaj G.H. i cili kishte mbetur i vdekur.

Lexo edhe:
Të shtëna me armë zjarri në Ferizaj, vdes një person

Ngjarja ka ndodhur në një market në Ferizj, ku afër tyre ishte një zyrtar policor, Njësitit të Anti-drogës në Ferizaj, dhe i njëjti ishte me rroba civile, ku pasi që ka parë ngjarjen ka shtënë me armë zjarri ndaj Q.J, duke e plagosur./Shqip.com