Kulturë

Intervistë me përkthyesin Klodian Briçin, fituesin e Çmimit “Hans Christian Andersen”

Klodian Briçi, përkthyes
Klodian Briçi, përkthyes

Pyetjet e trajtuara në këtë intervistë i qasen kryesisht çështjeve që lidhen me artin e të përkthyerit, përafria në mes përkthyesit dhe autorit, vështirësitë e të përkthyerit, por mbi të gjitha, krijojnë një ndjenjë të bukur e të veçantë për secilin lexues.

Klodian Briçi është një përkthyes i mirënjohur shqiptar, i cili ka përkthyer më shumë se 40 libra, kryesisht nga anglishtja dhe italishtja, por edhe romane të shkrimtares suedeze, Selma Lagerlöf.

Briçi, me përkthimin e plotë “Përrallat e Adersenit” (99 përralla) botuar nga Albas, është shpallur fitues i çmimit të madh “Hans Christian Andersen” 2023 në Danimarkë. “Tashmë edhe Shqipëria është në hartën e përkthimeve më të mira të Andersenit”.

Shqip.com: Ju njiheni si përkthyes i autorëve kryesorë të letërsisë botërore dhe deri me sot keni përkthyer mbi 40 të tillë. Nisur nga cilat kritere bëni përzgjedhjen për përkthime?

Klodian Briçi: Unë kam qenë, jam dhe do të mbetet gjithnjë i dashuruar pas letërsisë klasike. Kam njëfarë pëlqimi edhe për letërsinë bashkëkohore, por zemrën e kam të letërsia klasike e shekujve 17-18-19 dhe fillimshekulli i 20. Gjithsesi, më pëlqejnë autorë që shkruajnë bukur, kanë leksik të pasur dhe me veprat e tyre duan t’u çelin sytë lexuesve.

Klodian Briçi, përkthyes

Shqip.com: A mendoni se ekziston një marrëdhënie, një përafri në mes përkthyesit dhe autorit?

Klodian Briçi: Më saktë do të ishte: përafri midis veprës dhe përkthyesit. Përkthyesi përkthen ato vepra që e tërheqin, këtu bën pjesë mbrujtja e tij, pikëpamjet që përkthyesi ka përftuar për jetën dhe nëse këto i gjen të pasqyruara të veprat e ndryshme letrare.

Shqip.com: Cilat janë ato vështirësi që i hasni gjatë përkthimit dhe sa mëdyshje keni në përshtatjen e titujve në shqip?

Klodian Briçi: Vështirësitë janë të shumta pasi përkthimi kërkon përqendrim, përkushtim dhe përgatitje të jashtëzakonshme. Ka shprehje frazeologjike që duhet t’i japësh si duhet me gjegjëset në shqip, mandej përkthimi të ngre kurthe pasi pandeh se i ke përkthyer mirë fjalitë, por kur i sheh më pas kupton se duhej t’i kishe lexuar fjalitë me vëmendje dhe kujdes të veçantë. Një problem më vete është se fjalorët tanë dygjuhësh kanë të meta të mëdha, ndryshe ndodh me fjalorët dygjuhësh që janë hartuar dhe botuar në perëndim.

Shqip.com: Ju përkthimet a e i bëni nga librat origjinalë dhe a mendoni se ka, të themi, një rrjedhje/humbje teksti gjatë përkthimit?

Klodian Briçi: Përkthimet i bëj kryesisht nga gjuha origjinale (burimore); njëfarë humbjeje/bjerrjeje edhe ka, por mundohem që të jetë sa më e vogël. Gjithsesi, përkushtimi im ndaj përkthimësisë është i jashtëzakonshëm. Puna ime e vërteton këtë.

Shqip.com: Cilët janë autorët tuaj më të dashur që i keni përkthyer në gjuhën shqipe?

Klodian Briçi: Shkrimtarët e mi më të dashur janë: Charles Dickens, Margaret Mitchell, William Thackeray.

Shqip.com: A mendoni se do të duhej të ripërkthehen kryeveprat te ne? Nëse po, pse?

Klodian Briçi: Disa kryevepra duhen ripërkthyer ngaqë mund të dalin më mirë dhe të bartin më qartë kuptimin burimor të veprës. Pastaj, koha ka ndryshuar e kjo ka sjellë edhe ndryshimet që ka pësuar shqipja në vazhdë të viteve. Ndaj jam i bindjes që disa vepra (jo të gjitha) duhen risjellë në shqip.

Shqip.com: Me përkthimin tuaj “Përrallat e Andersenit” (99 përralla) Shqipëria tashme është shpallur fituese e çmimit të madh “Andersen”, që jepet çdo vit nga Komiteti “Andersen” në Danimarkë. Si e përjetuat këtë çmim?

Klodian Briçi: U gëzova pa masë sepse çmimi i mësipërm është vlerësim për punën e palodhur që kam bërë prej 23 vitesh. Gjithsesi, nuk jam nga ata që fle mbi dafina sepse më duhet të punoj ende që përkthimet të më dalin mirë, bukur, qartë e saktë. Thjesht, di t’ju them që u ngazëllova, u ndjeva i kënaqur.

Klodian Briçi, përkthyes

Shqip.com: Dhe së fundi, çfarë mesazh do të dëshironit t’ju përcillnit lexuesve shqiptarë dhe jo vetëm?

Klodian Briçi: Mundohuni të lexoni libra të bukur, me vlera të shëndosha, pasi vetëm kështu do të bëheni anëtarë të denjë të shoqërisë, sepse leximi i librave të shëndetshëm hedh themelet për një shoqëri që nuk lëngon nga problemet që kanë pllakosur shoqëritë që s’lexojnë apo lexojnë llojin e gabuar të librave.

/Shqip.com