Ekonomi Biznes

Institucionet e Kosovës në koordinim për luftimin e vjedhjeve të energjisë

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli të premten ka udhëhequr takimin për luftimin e vjedhjeve të energjisë elektrike ku kanë marrë pjesë Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, Kryesuesi i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE), Ymer Fejzullahu, Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor, Albert Zogaj, përfaqësues të Zyrës së Prokurorit të Shtetit, Policisë së Kosovës si dhe Kompanisë Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike në Kosovë sh.a. (KEDS).

Ministrja Rizvanolli ka thirrur këtë takim me qëllim të koordinimit ndër-institucional për shmangien e humbjeve komerciale në shpërndarje të energjisë elektrike, apo vjedhjeve të energjisë elektrike.

Gjatë takimit është thënë se: “Energjia e vjedhur nga disa paguhet nga të gjithë konsumatorët e ndërgjegjëshëm që i paguajnë faturat me rregull. Përderisa Qeveria subvencionon faturat, ato janë edhe barrë e taksapaguesve”.

Tutje, sipas tyre, luftimi i vjedhjeve të energjisë elektrike është një çështje tejet e rëndësishme jo vetëm për sektorin e energjisë, por edhe për mbrojtjen e konsumatorëve të ndërgjegjshëm e mbrojtjen e buxhetit të shtetit.

/Shqip.com