Infermierët dhe stafi mbështetës gjatë pandemisë, kërkojnë vazhdim të kontratës – paralajmërojnë ikje jashtë vendit
Infermierët dhe stafi mbështetës i angazhuar për COVID-19, kanë protestuar para ndërtesës së Qeverisë për shkak të mosvazhdimit të kontratave.
Protesta nuk zgjati më shumë se gjysmë ore, teksa një e tillë u paralajmërua edhe në ditët në vijim.
Bekim Ahmeti, inspektor sanitar i angazhuar në luftën kundër pandemisë COVID-19, tha se që nga 15 qershori janë pa punë 1270 persona të stafit mbështetës.
Siç thotë Ahmeti, ata sot duhej të ishin duke punuar në ruajtjen e shëndetit publik dhe jo duke protestuar.
“Kemi dal këtu së bashku me stafin mbështetës dhe infermierët në përfaqësim të 1270 punëtorëve që kemi qenë të angazhuar në luftën anti-covid dhe prej një qershor kemi mbet pa kontrata të vazhduara. Ne si inspektorat sanitar kemi pasur edhe takime me nivelet më të larta qeveritare por ende nuk kemi ndonjë përgjigje çka do të bëhet”, tha ai.
Sipas Ahemtit, infermieret kanë mbetur në pozitën që vetëm të ikin jashtë vendit.
“Infermierët janë në pozitë vetëm me ik jashtë vendit. Janë duke u kërkuar punë në Gjermani e krejt Evropën. Ne jemi 125 inspektor. Vetëm 12 inspektor i ka AUV-i që i këqyrin të gjitha masat tash ndërsa 125 po mbetën pa kontrata”, tha Ahmeti.
Arbenita Gashi infermiere e pranuar gjatë pandemisë, kërkoi që kontratat të vazhdohen, në të kundërtën do të kërkojnë punë jashtë Kosovës.
“Kemi dal që të merret vendim që këto kontrata të kthehen në mënyrë të rregullt sepse shëndetësia ka nevojë për ne dhe më së shumti mungesën tonë po e vuan pacienti. E lus kryeministrin që këto kontrata të vazhdohen dhe të bëhen të rregullta, mos të na i hapin dyert drejt perëndimit”,tha Gashi.
Gashi tha se nëse nuk merren parasysh kërkesat e tyre, e vetmja zgjidhje është që ne të shkojnë në ato vende ku shqyrtohen kërkesat e tyre.
Ndryshe, Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi në komisionin e javës së kaluar u shpreh se do të takohen me akterët, Qeverinë dhe Ministrinë e Financave, për të parë saktë se sa lejojnë mundësitë ligjore punësimin e tyre.
Infermierët dhe stafi mbështetës të cilët kanë punuar në pandemi kanë dalur në protestë para Ministrisë së Shëndetësisë për shkak se nuk ishin paguar në tre muajt e fundit./Shqip.com