Lajme

Infektologu Sadiku: Vaksinimi ka ndikuar që të ketë më pak pacientë të hospitalizuar nga COVID-19

Izet Sadiku- infektolog

Infektologu Izet Sadiku i cili është drejtor i Shëndetësisë në Prishtinë, thotë se vvaksina është mbrojtja më e mirë kundër Coronavirusit dhe formave të rënda të sëmundjes.

Sipas tij, vaksinimi i qytetarëve ka ndikuar që të ketë më pak të hospitalizuar.

“Tash kemi rreth 30 mijë raste aktive dhe vetëm rreth 100 persona janë të hospitalizuar. Vitin e kaluar ndoshta kemi pasur shumë më pak raste aktive por kemi pas mbingarkesë në spitale”, deklaroi Sadiku.

Infektologu rrëfen se efektin e vaksinës e ka parë derisa fëmijët e tij ishin të infektuar me COVID-19, ndërsa Sadiku nuk është infektuar pasi ka qenë i vaksinuar me dozën e tretë.

Vaksina COVID-19,

“Javën e kaluar kemi pasur dy fëmijët pozitiv me coronavirus. Bashkë me bashkëshorten e kemi ditur që ata janë pozitiv por nuk është se jemi ruajtur nga ta. Për shkak se kemi pasur edhe dozën e tretë të vaksinës ne nuk jemi infektuar. Kjo tregon efektshmërinë e vaksinës”, tha Sadiku në RTV Dukagjini.

Ndërsa shton se në Kosovë ka pak njerëz të vaksinuar me dozën e tretë të vaksinës kundër COVID-19.

“Vetëm ata që kanë marrë dozën e tretë në dhjetor konsiderohen të imunizuar pasi që ata që janë vaksinuar në janar e këndej ende mund të mos kenë fituar imunitet. Mirëpo edhe ata që marrin dozën e tretë të vaksinës nuk kanë mbrojtje 100% ndaj Omicronit. Nëse 100 persona marrin dozën e tretë, gjasat janë që 25 të infektohen, por ata do ta kalojnë shumë lehtë sëmundjen”, përfundon infektologu, Izet Sadiku./Shqip.com