Lajme

INDEP: Vendimi i ZRrE-së shkel të drejtat e konsumatorit, fatura nuk është transparente

Faturat e energjisë elektrike.
Faturat e energjisë elektrike.

Instituti për Politika Zhvillimore ka reaguar rreth vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji për shtrenjtim të energjisë elektrike.

Vendimin e ZRrE-së, INDEP e vlerëson si vendim që shkel të drejtat e konsumatorit dhe se fatura nuk është transparente.

“Ne jemi të shqetësuar për mundësinë e shkeljes së të drejtave të konsumatorëve përmes faturimit të pasaktë, jotransparent dhe të padrejtë për energjinë e shpenzuar deri me datë 9 shkurt. Për këtë, I bëjmë thirrje ZRRE-së që të sigurohet se ka ndarje të qartë në mes kohës së faturimit me çmimoren e re dhe asaj të vjetër dhe se konsumatorët janë të informuar saktë dhe drejtë mbi këtë proces”, thuhet në njoftim.

INDEP konsideron që ZRrE duhet të sqarojë mirë formën se si do të tarifohen konsumatorët për energjinë e shpenzuar gjatë muajit shkurt.

Zyra e Rregullatorit për Energji

Sipas INDEP, KESCO do të duhej të tarifonte përsëri konsumatorët për energjinë e shpenzuar tri javët e fundit të muajit shkurt 2022 me tarifat e reja të aprovuara.

“E shohim shumë të rrezikshme dhe dëmtim të drejtpërdrejtë të të drejtave ekonomike të konsumatorëve nëse konsumatorët në fund të muajit shkurt 2022 do të ngarkohen me tarifat e shtrenjtuara të energjisë elektrike të shpenzuar. Me shtrenjtimin e fundit të çmimit të energjisë, konsumatorët ka shumë mundësi që prej kohës së tarifimit të fundit, nga datat 22 deri 27 janar 2022 deri sot, 9 shkurt 2022, të kenë shpenzuar energji të mjaftueshme sa për të kapërcyer kufirin e bllok tarifës prej 800kË. Kjo, sepse marrë parasysh temperaturat shumë të ulëta këto ditë, është shumë e mundëshme që një pjesë e madhe e konsumatorëve të kenë shpenzuar më shumë se 800kWh për ngrohje me energji elektrike dhe të tarifohen me shifra marramendëse për energji elektrike në fund të muajit”, thotë INDEP.

ZRrE më 8 shkurt ka aprovuar bllok tarifat e reja me ndarjen e re që fillon nga 800 kË.

Sipas njoftimit të ZRRE-së, bllok tarifat e reja do të nisin zbatimin dhe do të hyjnë në fuqi më datë 9 shkurt 2022 dhe do të aplikohen deri më 31 mars 2023./Shqip.com