Lajme

Ikja e anesteziologëve bllokon klinikat, pacientët presin deri në 4 vjet

Klinika e Ortopedisë e QKUK-së mban rekordin e pritjeve të gjata për pacientët.

Derisa po mbyllet muaji shkurt i vitit 2023, në këtë klinikë po kurohen pacientët e regjistruar në vitin 2019.

E gjithë kjo situatë është krijuar shkaku i mungesës së anesteziologëve.

Nderim Salihaj, specialist i Ortopedisë dhe Traumatologjisë Osteomuskulare, që është pjesë e Klinikës së Ortopedisë, për Shqip.com ka treguar se si u zvogëlua numri i anesteziologëve.

“Para pandemisë kanë qenë aktiv deri në 5 anesteziologë brenda ditës në Klinikën e Ortopedisë, që kanë qenë në sallën e operacioneve. Sot, i kemi vetëm 2-3 anesteziologë që funksionojnë për sallat e ortopedisë, pastaj kjo reflektohet në volum të punës. Nuk mundet me u punu si është punu më herët. Më herët kemi punuar me kapacitet të plotë, me tri salla. Tash rrallë herë që janë tri salla, paçka se mundësitë në aspektin logjistik i kemi më të mira. Tash kemi 4 salla aktive. Por për shkak të mungesës së resurseve humane, punojmë me 2, në maksimum 3 salla herë pas here. Dhe faji më së shumti është tek mungesa e anesteziologëve”, thotë Salihaj për Shqip.com.

Nderim Salihaj, specialist i Ortopedisë dhe Traumatologjisë Osteomuskulare

Pacientët presin 3 deri në 4 vjet për t’u futur në operacion

Ai thekson se për momentin, janë duke u kryer operimet e pacientëve që janë regjistruar për këto shërbime në vitin 2019.

“Ne i japim prioritet traumave, pra trajtimit të lëndimeve që nuk presin. Rastet që janë në listë së pritjes janë protezat dhe zakonisht ligamentet. Ne mundemi maksimalisht dy deri në tri proteza me i punu gjatë javës, që është numër ekstrem i vogël. Operacionet e protezave apo zëvendësimi i nyjës së dëmtuar, mund të presin deri në 3 ose 4 vite. Përshembull, tash jemi duke i punuar rastet me proteza të vitit 2019, akoma nuk kemi filluar me rastet e vitit 2020”, thekson tutje Salihaj.

Sipas tij, më herët në Klinikën e Ortopedisë ka pasur anesteziologë çdo ditë edhe në ndërrimin e natës, ndërsa tash në vetëm dy ditë të javës janë anestëziologët në ndërrimin e kujdestarisë.

Nderim Salihaj nuk pret që gjendja të ndryshoj në të ardhmen e afërt, pasi duhet të pritet që të vijnë kuadrot e reja dhe të futen në sistemin e punës.

Nehat Baftiu, njëri ndër anesteziologët më me përvojë në Kosovë, njëherit drejtori i parë i Klinikës së Anesteziologjisë dhe Reanimacionit, shprehet se problemi përfundimisht do të zgjidhej sa i përket mungesës së anesteziologëve, nëse kushtet e punës do të përmirësoheshin.

“Zgjidhja e problemit me mungesën e anesteziologëve është përmirësimi i kushteve të punës. Në mungesë të kuadrit, shteti duhet të krijojë kushte më të mira, përndryshe problemi do të jetë çdo herë. Që nga paslufta kanë diplomuar 150 anesteziologë të rinjë, por për shkak të kushteve të punës jo të mira, ka bërë që mbi gjysma e tyrë të shkojnë jashtë vendit. Për momentin janë duke i kryer studimet 42 anesteziologë, por ndoshta deri në fund të specializimit, nuk do mbesin më shumë se 10 ose 12”, thotë për Shqip.com, Nehat Baftiu.

Specializantët po mësojnë gjuhë të huaja që të shkojnë jashtë vendit

Ai tregon se pse shumë anesteziologë gjatë specializimit vendosin ta lëshojnë Kosovën.

Sepse gjatë specializimit ata kanë mundësi të mësojnë gjuhë të reja, gjermanishten si shembull dhe gjatë kryerjes së specializimit shkojnë edhe e vazhdojnë atje, me kushtin që i sigurojnë kushte më të mira për punë”, shprehet Baftiu.

Sipas tij, zgjidhja më e mirë është që të paguhet performanca, që anesteziologët të paguhen edhe për rastet që i kryejnë.

Ish-drejtori i Klinikës së Anesteziologjisë dhe Reanimacionit, Nehat Baftiu

Baftiu përmend arsyet se pse anesteziologët vendosin që ta vazhdojnë karrierën tek sektori privat.

Kushtet në spitalet private janë shumë më të mira, por asnjë anesteziologë nuk do punonte në spitalet private nëse kushtet e punës do të ishin të njejta në klinikat shtetërore. Në spitale private puna është 10 herë më e vogël në sasi se në atë të shtetit, plus pagesa është 5 herë më e madhe. Më ka ndodhur mua personalisht që në QKUK, kemi mbajtur mbi 20 operacione në ditë. Ndërsa, në privat mund të jenë gjatë tërë muajit 20 operacione”, thotë Baftiu.

“Pra çdo gjë është lidhur me kushtet e punës sepse me më shumë qejf, anesteziologët e kirurgët punojnë në spitalet publike sesa në privat”.

Për të “pagat e anesteziologëve kanë qenë dhe janë mizerie, nuk është pagu rruga, performanca, mbinorma etj”.

Qëndrimi në sallat e operacionit për mbi 12 orë

“Ka raste kur futesh në sallën e operacionit në ora 8 në mbrëmje, e mund të dalësh të nesërmen në ora 8 të mëngjesit. Dhe asnjë veprim konkret nuk është bërë për këto orë shtesë. Momentalisht në Kosovë janë 70 e diçka anesteziolog, mbi 50 janë në QKUK dhe spitalet rajonale, ndërsa pjesa tjetër punon nëpër spitalet private”, përfundon Baftiu.

Lidhur me mungesën e anesteziologëve, Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se këtë vit, ndarja e specializimeve, do të behet mbi bazën e planifikimit dhe rregullativave të reja ligjore.

MSh krahas obligimeve të saja është në përfundim të planifikimit të ndarjes së shkollimit specialistik, i cili pritet të procedohet në muajt mars- prill të këtij viti. Ndarja e specializimeve këtë vit do të bëhet komform rregullativave të reja ligjore që parashihen në UA administrativ, dhe për herë të parë në RKS planifikimi i shkollimit specialistik do ketë format të rregulluar të planifikimit dhe kontratave që do vënë rregull dhe plotësime të hendeqeve të krijuara si rezultat i planifikimit dhe ndarjeve të specializimeve konform nevojave që i ka sistemi ynë shëndetësor”, thuhet në përgjigjen e MSH-së për Shqip.com.

Foto ilustruese: Ministria e Shëndetësisë

Ministria ka pranuar se shërbimet shëndetësore po përballen me deficit të kuadrit mjekësor në disa profile, në këtë rast të anasteziologëve, por shërbimet shëndetësore po vijojnë të ofrohen qytetarëve krahas prioritizimëve që janë përcaktuar nga konziliumet profesionale dhe udhëheqëse të Klinikave të ShSKUK-së.

/Shqip.com