Lajme

IKD: Të shkarkohet kryeprokurori, Munishi dhe prokurori i rastit të Sebahate Morinës

Instituti i Kosovës për Drejtësi(IKD) vendimin e djeshëm të Gjykatës Kushtetuese për të ndjerën Sebahate Morina e ka konsideruar si një fitore kundër dhunës në familje dhe dhunës në baza gjinore,

Siç raporton KP, përfaqësuesit e IKD-së kërkuan dorëheqjen e kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinës, Kujtim Munishit dhe prokurorit të rastit të Sebahate Morinës.

Zëvendësdrejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Betim Musliu e ka konsideruar të pafalshme heshtjen e krerëve shtetëror pas shpalljes së aktvendimit nga Kushtetuesja për rastin e Sebahate Morinës.

“Për këtë rast Qendra për Ndihmë Juridike e IKD-së më 13 korrik 2021 në emër të fëmijët të tani të ndjerës Sebahate Morina ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese rasti me pretendimin se tani të ndjerës përmes mosveprimit i ishte shkelur e drejta në jetë. Këto pretendime më në fund janë konfirmuar nga Gjykata Kushtetuese…Sipas Gjykatës Kushtetuese i është mohuar e drejta në jetë….Për ne është shumë e çuditshme dhe po ashtu e pafalshme heshtja e presidentes Osmani e kryeministrit Kurti, ministres Haxhiu e sidomos ministrit Sfeçla lidhur me këtë rast pas shpalljes së këtij aktgjykimi nga Gjykata Kushtetuese, heshtja e tyre flet se sa e kanë prioritet gruan, mbrojtjen e saj nga dhuna në familje”, tha Musliu.

Gëzim Shala po ashtu nga Instituti i Kosovës për Drejtësi tha se mënyra se si është vepruar në rastin e Sebahate Morinës dëshmon e shpërfaq sistemin prokurorial dhe institucionet tjera si institucione që mbrojnë prokurorët e jo viktimat e dhunës.

E përgjegjës kërkoi të mbahen edhe zyrtarët policor të stacionit të Graçanicës.

“Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese thotë se Policia e Kosovës stacioni në Graçanicë dhe Prokuroria Themelore në Prishtinë tani të ndjerës ia kanë shkelur të drejtën në jetë që është e drejta më sublime Kushtetuese…pas kësaj Prokuroria Themelore në Prishtinë e udhëhequr me këtë kryeprokuror më nuk ka integritet dhe kredibilitet për të mbrojtur viktimat e dhunës në familje. Për këtë arsye veprimi më i paktë që kërkohet nga ana e kryeprokurorit Munishit dhe prokurorit të rastit është dorëheqja e menjëhershme e tyre për të treguar se në rastin konkret mbajnë përgjegjësi dhe që sistemi vazhdon të jetë i gatshëm për të mbrojtur viktimat e dhunës në familje”, tha Shala.

“Krahas Prokurorisë duhet të mbahen përgjegjës edhe zyrtarët e Policisë në Graçanicë të cilët janë konfirmuar nga Gjykata Kushtetuese se mos veprimin e tyre kanë kontribuar në shkeljen”.

Tutje nga Qendra për Ndihmë Juridike e IKD-së u bë e ditur se për të quar drejtësinë në vend do të vazhdojnë me veprime procedurale që kanë të bëjnë me kompensimit e dëmit material dhe do të kërkojnë llogari përmes mekanizimeve institucional.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka marrë vendim lidhur me kërkesën e dorëzuar nga vajza e të ndjerës Sebahate Morina, përmes të cilit konstatohet shkelja e të drejtës për jetën, e garantuar me Kushtetutë. Kjo kërkesë ishte hartuar nga Qendra për Ndihmë Juridike Falas e Institutit të Kosovës për Drejtësi, në emër të fëmijëve të tani të ndjerës Morina dhe ishte dorëzuar nga vajza e saj Velerda Sopi.

Vajza e të ndjerës Sebahate Morina, e kishte dorëzuar më 13 korrik 2021 në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, kërkesën me të cilën është propozuar të konstatohet se mosveprimet e autoriteteve shtetërore kanë shkelur të drejtën për jetën të garantuar me nenin 25 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 2 të KEDNJ dhe që këto mosveprime nuk kanë qenë në pajtueshmëri me nenet 50 dhe 51 të Konventës së Stambollit. Kjo kërkesë është përgatitur në kuadër të Qendrës për Ndihmë Juridike falas të Institutit të Kosovës për Drejtësi, në bashkëpunim me Rrjetin e Grave të Kosovës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

/Shqip.com