Lajme

Ibrahimi: Sa më shpejtë të kompensohen dëmet pas vërshimeve

Drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi

Drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi tha se ende nuk ka filluar kompensimi i dëmeve pas vërshimeve dhe dëmeve natyrore.

“Në bazë të informatave që Asociacioni i Komunave të Kosovës, në bazë të komunikimit që kemi me kryetarët e komunave edhe me stafin komunal, kompensimi i dëmeve ende nuk ka filluar, janë procedura të cilat janë të parapara me ligjet në fuqi”, tha Ibrahimi.

Ai ka folur edhe për shumën e dëmeve që kanë shkaktuar reshjet dhe vërshimet e fundit që kanë kapluar vendin tonë.

“Në bazë të informatave preliminare, që kryetarët e komunave posedojnë dhe neve si Asociacion, dëmet janë me dhjetëra milionë euro, duke marrë parasysh që niveli qendror e ka një fond për emergjencat e tilla neve po besojmë që ai fond duhet të shfrytëzohet në mënyrë që të kompensohen dëmet ndaj qytetarëve të prekur”, tha Ibrahimi.

Një javë më parë, në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur lidhur me masat e marra ndaj zonave të cilat janë prekur nga vërshimet.

Lexo edhe:
Qeveria prezanton masat që janë marrë për zonat e prekura nga vërshimet

Kurti ka thënë se Qeveria dhe institucionet e Kosovës i janë përgjigjur kërkesave të komunave të prekura nga vërshimet.

Ministri i Ministrisë së Financave, Punës dhe Transferëve, Hekuran Murati ka thënë se janë në pritje të raporteve nga komunat e prekura nga vërshimet.

Murati ka thënë se pasi t’i kenë raportet, do të shohin mundësitë për t’i mbështetur të gjitha këto komuna.

Lexo edhe:
Ende nuk është ndarë fond për komunat e prekura nga vërshimet, Qeveria në pritje të raporteve

Tutje, Murati u shpreh se është e rëndësishme që të gjenden sa më shumë mënyra që të lehtësohet jeta e qytetarëve.

/Shqip.com