Lajme

Ende nuk është ndarë fond për komunat e prekura nga vërshimet, Qeveria në pritje të raporteve

Hekuran Murati - Ministër i Financave, Punës dhe Transfereve

Ministri i Ministrisë së Financave, Punës dhe Transferëve, Hekuran Murati ka thënë se janë në pritje të raporteve nga komunat e prekura nga vërshimet.

Përmes një konference për media të transmetuar nga KP, Murati thotë se pasi t’i kenë raportet, do të shohin mundësitë për t’i mbështetur të gjitha këto komuna.

“Jemi në kontakt të vazhdueshëm, janë ministritë përkatëse, qoftë MAPL që mbikëqyrur pushtetin lokal, qoftë Ministria e Bujqësisë për dëmet në bujqësi. Jemi në kontakt të vazhdueshëm dhe sapo të kemi edhe shifra dhe vlerësimet nga komisionet përkatëse, normalisht që si qeveri pastaj do të shohim se cilat janë mundësitë për t’i mbështetur të gjitha këto komuna”, tha Murati.

Murati ka folur edhe për rritjen e normës tatimore për pronat duke thënë se ka vullnet nga komuna për faljen e tatimit për tatimpaguesit në vlerë deri 100 euro.

“Ka vullnet nga ana e komunave. Ne do ta procedojmë ligjin e ri, i cili do të përmbajë edhe dispozitën që të zbritet nga fatura e sivjetshme, shuma deri në 100 euro. Kjo gjë është thënë edhe po bëhet, shumë shpejt do të dërgojmë për konsultime të brendshme, e pastaj për konsultime publike-projektligjin e ri, i cili do të mundësojë këtë gjë”.

Tutje, Murati tha se është e rëndësishme që të gjenden sa më shumë mënyra që të lehtësohet jeta e qytetarëve.

/Shqip.com