Lajme

Ibishi: Radojçiq është gjoker i Vuçiqit, Qeveria t’i adresojë kërcënimet e tij në SHBA dhe BE

Nuredin Ibishi, ekspert i sigurisë
Nuredin Ibishi, ekspert i sigurisë

Kreu i grupit kriminal serb, njëherësh nënkryetar i Listës Serbe, Milan Radojçiq përmes një video mesazhi dyshohet se është paraqitur nga veriu i Kosovës.

Përmes këtij video-mesazhi, Radojçiq përcolli një porosi ndaj serbëve të Kosovës duke u thënë “unë jam këtu, jam kthyer dhe ju e dini se çfarë do të thotë sepse nga këtu nuk ka kthim prapa”.

Për ekspertin e sigurisë, Nuredin Ibishi kjo deklaratë është e rëndomtë dhe se vendi është mësuar me kërcënime të përçuara nga persona të deleguar nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Jemi mësuar me mesazhe të tilla dhe kërcënime. AKI-ja dhe Policia i kanë më të detajuara informacionet për këtë çështje për shkak se janë në trysni sepse është shpallur person non grata nga Thesari Amerikan i shtetit dhe të kërkuar për krim të organizuar dhe pjesëmarrje në akte tjera të vrasjeve”.

“Këto (mesazhet) shkojnë të shtytura nga Vuçiqi dhe shërbimet inteligjente siç është BIA me qëllim që të krijojnë pasiguri ose situatë të tensionuar në Kosovë”, u shpreh ai.

Ibishi u ka bërë thirrje institucioneve të sigurisë që të mos i lënë anash kërcënimet e deleguara nga Serbia.

“AKI-ja dhe Policia e Kosovës duhet të ndërmarrin masa operativo teknike sepse ka gjasa që edhe komunikon me Prishtinën dhe mund të duket edhe në pjesë të tjera të Kosovës. Ajo duhet të jetë shqetësim për institucionet e drejtësisë”, tha ai.

Ai tha se Qeveria, këto kërcënime duhet t’i adresojë tek Bashkësia Ndërkombëtare, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian.

“Edhe pse është zë i deleguar dhe si autoritet i Qeverisë së Serbisë në Kosovë, atëherë politika jonë duhet ta adresojë te Bashkësia Ndërkombëtare edhe te SHBA-të por edhe në BE këto kërcënime me qëllim që të ndërmarrin masa ndaj Vuçiqit”, u shpreh Ibishi për SHQIP.com.

Mbrëmjen e 5 korrikut, media “Alo” ka publikuar një video-mesazh nga Radojçiq ku pretendohet se është regjistruar brenda territorit të Kosovës.

Lexo edhe:
Dyshohet se Radojiçiq ka hyrë në Kosovë: Kam ardhur, nuk do të kthehem më

Radojçiq që është i sanksionuar nga Thesari amerikan (OFAC), për aktivitetin e tij kriminal në veri të Kosovës.

Ai është njëri nga të dyshuarit e kërkuarit nga drejtësia për vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq.

Theksojmë se në takimin e mbajtur më 22 mars nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Sigurisë, krah tij u pa edhe i kërkuari nga institucionet e drejtësisë në Kosovë për korrupsion, Millan Radojçiq.

Milan Radoiçiq

Radojçiq ishte arratisur Policisë së Kosovës në pikën kufitare mes Kosovës dhe Serbisë në Bërnjak.

Policia kishte thënë se arratisja e tij ka ndodhur gjersa zyrtarët policorë ishin duke e verifikuar.

“Një i dyshuar mashkull/Serb (në hyrje në Kosovë), gjersa zyrtarët policor ishin duke e verifikuar, i njëjti me veturë është larguar mbrapa në drejtim të Serbisë. Bazuar në verifikimin e kryer i dyshuari është i kërkuar në bazë të urdhër arrestit të lëshuar nga gjykata”, thuhej në raportin 24 orësh të Policisë./Shqip.com