“I refuzova tre milionë euro nga Kazakistani, nuk do pendohem kurrë”

Tre milionë euro ishte shuma që Majlinda Kelmendi i refuzoi nga Kazakistani, vetëm që ta përfaqësojë Kosovën.
Këtë lajm e kanë treguar, vetë Kelmendi, në një prononcim për T7.
“Jo nuk kam qenë pishman asnjëherë dhe nuk do pendohem kurrë. E kamë ditë për ofertën nga Kazakistani. E vështirë ka qenë kur Azerbajxhani më bëri ofertë sepse askush nga familja ime nuk punonte atëherë. Toni më tha se duhet me qëndru në Kosovë sepse është vendi i jonë.
Jam shumë e vetëdijshme se tre milionë euro në Kosovë nuk do i marr kurrë. Por, mënyra se si ndihem në Kosovë, si më shohin njerëzit në Kosovë nuk mundem t’i blejë kurrë”, tha Kelmendi ndër të tjera.
Të njëjtën e tha edhe trajneri dhe bashkëpuntori i saj i ngushtë, Driton Kuka.
“Tre milionë euro do i dilnin Majlindës në xhirollogari nëse do pranonte ta ndërronte shtetin. Majlinda e ka ditur ofertën, por jo edhe shumën. I tregova pas kompeticionit”, tha Kuka.
Ai po ashtu shtoi se, kanë pasur edhe oferta nga Turqia dhe disa shtete tjera.
Majlinda, u pensionua nga xhudo gjatë ditës së hënë dhe u përcoll me ceremoni shtetërore.
Gjatë karrierës si profesioniste, ajo e ka “sunduar” botën dy herë, ishte katër herë “mbretëreshë” e Evropës dhe doli fituese e katërfishtë në Grand Slamin e Parisit. /Shqip.com