Lajme

I kujt është ‘Ferrari’ që e vozitë kandidati për kryetar të Podujevës?

Kandidati për Kryetar të Komunës së Podujevës, nga Nisma, Xhemajl Hasani, në "Ferrari"

Kandidati për kryetar të Komunës së Podujevës nga Nisma Socialdemokrate, Xhemajl Hasani, i cili njoftoi publikisht se vozitë “një veturë modeste – të llojit ‘Ferrari’”, thotë se me këtë deklaratë ka dashur të ironizojë pak.

Kështu është shprehur ai për Gazetën Shqip.com, kur është pyetur se nga kush i është bërë dhuratë vetura luksoze, çmimi i së cilës sillet rreth 80 mijë euro.

“Kam dashur të ironizoj pak, nuk është vetura në pronësi time. Është i familjarëve, i djemve të axhës”, ka thënë ai.

Anise Hasani thotë se nuk e posedon këtë veturë, ai më parë kishte publikuar në rrjete sociale fotografi me të.

Tabelat që shihen në fotografinë e publikuar nga vetë Hasani në llogarinë e tij në Facebook, janë targa zvicerane.

Gazeta Shqip.com, merr vesh se të njëjtat targa janë në emër të S.S., biznesmen i një kompanie elektrike me seli në Zvicër.

I pyetur se çfarë lidhje ka ai me S.S., Hasani tha se nuk e njeh.

Deklarata e pretendentit të NISMA-s për të parin e komunës së Podujevës, bëri bujë mediatike së fundmi.

“Veturë modeste, dhuratë. Ferrari, 70-80 mijë euro, si të gjithë kandidatët e tjerë”, ka thënë ai në një debat në ‘Klan Kosova’.

Në këtë debat të pranishëm ishin edhe kandidatët tjerë për kryetar të kësaj komune, por asnjëri prej tyre nuk deklaroi se vozitë veturë të përafërt me shifrën e cekur nga pretendenti i NISMA-s për të parin e Podujevës. /Shqip.com