Lajme

I akuzuari për krime lufte në Izbicë gjatë 1999 deklarohet i pafajshëm

 I akuzuari Muhamet Alidemaj është deklaruar i pafajshëm për akuzën për krime lufte kundër popullsisë civile në fshatin Izbicë.

Ai ngarkohet se gjatë 1999-ës së bashku me pjesëtarët e tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, me dhunë i ndajnë gratë e fëmijët dhe dhunshëm i detyrojnë që të shkojnë në drejtim të Shqipërisë, ndërsa burrat e mbetur i ekzekutojnë me armë automatike duke i vrarë 130 persona, prej të cilëve 114 viktima u identifikuan, kurse 12 civilë i mbijetuan ekzekutimit, ku të njëjtit i zhvarrosen trupat me ekskavator dhe i larguan duke i transportuar me disa kamionë në drejtim të panjohur. Ndërsa, pas përfundimit të luftës trupat e viktimave u gjetën në varreza masive në Batajnicë të Serbisë, në fshatin Suhodoll të Mitrovicë dhe në fshatin Novolan të Vushtrrisë.

Deklarimin rreth fajësisë, i akuzuari Alidemaj e bëri në seancën e së premtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë, pas leximit të aktakuzës nga prokurori special Ilir Morina, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Deklarimin e të akuzuarit Alidemaj e mbështeti mbrojtësi i tij, avokati Vasilije Arsic.

Pas kësaj, gjykatësi i çështjes, Vesel Ismaili e njoftoi të akuzuarin dhe mbrojtësin e tij se kanë të drejtë të ushtrojnë kërkesë për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimin e provave, brenda afatit të paraparë ligjor prej 30 ditësh.

Sipas aktakuzës së përpiluar më 29 mars 2022, Muhamet Alidemaj po ngarkohet se gjatë periudhës kohore 24 mars 1999 – 11 qershor 1999, gjatë konfliktit të armatosur në Kosovë, si pjesëtar i forcave policore dhe ushtarake serbe, ka shkelur rëndë rregullat e së drejtës ndërkombëtare gjatë kohës së luftës kundër popullsisë civile dhe pasurisë së tyre.

Siç thuhet në aktakuzë Alidemaj, së bashku me pjesëtarët e tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, shkojnë tek vendi – livadhi ku ishin të grumbulluar popullsia civile e fshatit Izbicë dhe fshatrave të tjera përreth, me dhunë i ndajnë gratë dhe fëmijët nën moshën 12 vjeçare dhe dhunshëm i detyrojnë që të shkojnë në drejtim të Shqipërisë.

Ndërsa, burrat e mbetur thuhet se i ndajnë në tri grupe, duke i dërguar secilin grup në një vend të caktuar dhe i ekzekutojnë me armë automatike duke i vrarë 130 persona, prej të cilëve 114 viktima u identifikuan, emrat e të cilëve janë paraqitur në shtojcën 1 të kësaj aktakuze, kurse 12 civilë i mbijetuan ekzekutimit, emrat e të cilëve gjendën në shtojcën 2 të kësaj aktakuze, ashtu që trupat e cilëve të vrarë pas 2-3 dite ishin varrosur nga fshatarët.

Tutje, sipas aktakuzës thuhet se përafërsisht pas 2 muajve të vitit 1999, i akuzuari Alidemaj së bashku me pjesëtarët e tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, u kthyen sërish në fshat, i zhvarrosën trupat me ekskavator dhe i larguan duke i transportuar me disa kamionë në drejtim të panjohur, ndërsa pas përfundimit të luftës trupat e viktimave u gjetën në varreza masive në Batajnicë të Serbisë, në fshatin Suhodoll të Mitrovicë dhe në fshatin Novolan të Vushtrrisë.

Me këtë, akuzohet se në bashkëkryerje, e ka kryer veprën penale “Krimi i luftës kundër popullsisë civile”, e sanksionuar me nenin 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, si ligj në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale, aktualisht i sanksionuar sipas veprës penale “Krimet e luftës në shkelje të rëndë të nenit 3 të përbashkët për konventat e Gjenevës”, nga neni 146, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës./Shqip.com