Lajme

Hyseni: Vit i dështimeve që rrezikojnë kthimin e vendit në pikën zero

Skender Hyseni - Ish-ministër i Punëve të Jashtme të Kosovës

Ish-kryediplomati Kosovar, Skender Hyseni e quan vitin 2022 si vit të dështimeve që rrezikojnë kthimin e vendit në pikën zero.

Përmes një shkrimi në Facebook, Hyseni tha se të gjithë ne shpresonim që ky vit do të jetë më i mirë se viti paraprak, por që nuk doli kështu.

“Sot, dita e shtune e 31 dhjetorit shënon fundin e vitit 2022. Është kjo ditë pra kur doemos detyrohemi të bëjmë një rekapitulim të zhivillimeve që përjetoi vendi ynë përgjatë vitit që po lëmë pas. Ku ishte Kosova në fillim dhe ku është sot në mbarim të vitit?! Të gjithë ne, natyrshëm shpresonim se viti 2022 do të ishte një vit më i mirë se viti paraprak. Me më shumë progres në rrafshe të ndryshme dhe me më shumë mirëqenie për qytetarin. Por, përkundër pritjeve dhe besimit doli që viti që po ik ishte viti më i keq, që në histori do të regjistrohet si vit i deshtimeve të pafalshme që rrezikojnë ta kthejnë vendin në pikën zero”, shkroi Hyseni.

Hyseni thotë se lista e gabimeve strategjike dhe politikave të gabuara është e gjatë duke përmendur kështu edhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin dhe presidenten, Vjosa Osmanin.

“As pesimistët më të mëdhenjë nuk e kishin mendua se udhëheqja aktuale e këtij vendi do ta kantandiste vendin në këtë gjendje. Kryeministri Albin Kurti dhe noterja e tij Vjosa Osmani, me politikat e tyre aventureske, kryeneqe, egocentrike, diletanteske, amatoreske dhe shumë të rrezikshme ia dolen që vendin tonë të dashur ta vendosin në raporte konfrontuese më partnerët e pazëvedësueshëm të Kosovës. Lista e gabimeve strategjike dhe politikave infantile të këtyre aventurierëve politik është shumë e gjatë”.

Krahas kritikave për Qeverinë, Hyseni ka kritika edhe për punën e opozitës dhe heshtjen e saj ndaj veprimeve politike të pushtetit.

“Për pasojë, Kosova sot përballet me veriun e vendit jasht kontrollit të institucioneve qendrore. Ajo pjesë e vendit është në mëshirën e anarkisë dhe politikave destruktive serbe, si pasojë e mungesës totale të vizionit të lidershipit aktual. Viti 2022 ishte vit i stagnimit dhe prapakthimit, vit i dështimit të plotë në pothuaj të gjitha fushat, i shoqëruar me papërgjegjësi dhe inkonsistencë shkatërrimtare dhe të papranueshme të Kryeministrit Kurti, qeverisë së tij dhe Presidentes Osmani. Kosova sot ka një Qeveri infantile, pa vision, pa guxim dhe pa dije. Në të njejtën kohë Kosova vazhdon të ket një opozitë të heshtur, kalkulante dhe krejtësisht anemike. Një opozitë për vetveten e jo për shtetin! Kjo e bënë edhe më shqetësues gjendjen në të cilën gjendet vendi ynë sot”.

Ndërsa, për situatën në veri të Kosovës, Hyseni thotë se pretekst Serbisë iu dha Kurti dhe Osmani.

Përgjatë gjithë vitit 2022 shumë nga ne kemi tërhequr vërejtjen për pasojat e mundshme të vendimeve dhe politikave të Albin Kurtit, duke tërhequr vërejtjen se qeveria e Serbisë dhe strukturat parapoltike në veri të Kosovës mezi prisnin pretekste për të destabilizuar vendin tonë. Këto pretekste ua dha Albin Kurti dhe Vjosa Osmani, të cilët me kryeneçësi rrënuan çdo gjë që me aq mund ishte arritur në integrimin e veriut në sistemin e Kosovës që nga viti 2013, duke ia dorëzuar në pjatë Serbisë veriun e vendit. Me veprimet e tyre politike, Kurti e Osmani, po u shërbejnë agjendave kriminale e diversive serbe në veri.

E krahas kësaj, ish-kryediplomati Kosovar, ka një zgjedhje.

“Dialogu dhe arritja e një marrëveshje me Serbinë është thirrje e kohës. Udhëheqësit aktual, Kurti e Osmani duhet të rivendosin koordinimin dhe bashkëveprimin me Amerikën dhe partnerët në Evropë që të arrihet marrëveshja brenda vitit 2023. Kosova së bashku me miqtë e saj në botë duhet të sigurohen qe e ardhmja e raporteve midis Kosovës dhe Serbisë të jet paqja, bashkëpunimi dhe mirëkuptimi, si dy vende të pavarura dhe sovrane, në fqinjësi të pare”.

Tutje, Hyseni tha se kjo është e mundshme sepse një zgjidhje e tillë e ka përkrahjen e gjithë botës demokratike perëndimore.

/Shqip.com