Lajme

Hyseni: Deklaratat e Abdixhikut ndaj Kurtit kishin mungesë guximi

Ish-Koordinatori Nacional për dialog Kosovë-Serbi, Skënder Hyseni

Ish-ministri i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, Skënder Hyseni ka reaguar lidhur me deklaratat e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhikut për kryeministrin, Albin Kurti.

Përmes një postimi në Facebook, Hyseni ka thënë se në deklaratat e Abdixhikut kishte mungesë guximi.

“Po i kthehem tani deklaratës së Abdixhikut dje dhe “ashpërsisë” së tij me Kurtin. Pajtohem me të gjitha konstatimet për çështjet që kishte prekur në atë deklaratë z.Abdixhiku. Por, po ashtu duhet konstatuar që në deklaratën e tij kishte mungesë akute guximi për t’u marr edhe me çështje substanciale të shtet ndërtimit të Kosovës”, shkroi Hyseni.

Sipas Hysenit, diçka nuk shkon pasi Abdixhiku  numron shumë dështime të Kurtit dhe shprehet kundër rrëzimit të Qeverisë së tij.

“Sidoqoftë, është më se e saktë që Albin Kurti (dhe, shto këtu edhe Vjosa Osmani) “nuk po i kupton hallet e qytetarëve, por angazhohet vetëm për propaganda!!!”. Megjithatë, pyetja më logjike që imponohet në këtë rast është: Si është e mundshme që një lider opozitar, Abdixhiku ia numëron gjitha atë mal dështimesh Kurtit, dhe në të njëjtën kohë deklarohet kundër rrëzimit të kësaj qeverie, si qëndrim politik partiak! Diçka këtu nuk shkon”.

Ish-ministri potencoi heshtjen e kryesisë së LDK-së ndaj deklaratave të Abdixhikut si politikë manipulative e instaluar brenda kësaj partie.

“Heshtja e pjesës më të madhe të Kryesisë së LDK-së, ndaj kësaj politike sa manipulative e po aq kalkulante instaluar nga Abdixhiku në këtë parti, është tregues i qartë që, tashmë, bërthama e VV-së brenda LDK-së është diktuese e politikave “opozitare”. Ka kohë që, përmes figurave si Vjosa Osmani, Lumir Abdixhiku dhe 4-5 anëtarë tjerë në Kryesinë e LDK-së, Albin Kurti dikton politikat dhe qëndrimet e LDK”.

Ndërsa, Hyseni tha se e keqja më e madhe që i ka ndodhur Kosovës është ardhja në pushtet Kurtit dhe Vjosa Osmanit.

Abdixhiku: Albin Kurti nuk e kupton ekonominë, por e kupton propagandën – SHQIP.com

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka thënë se Kurti nuk e kupton ekonomikë por e kupton propagandën

“Albin Kurti nuk e kupton ekonominë. Por e kupton propagandën. Fatkeqësisht, propaganda nuk e bën ekonominë, por ai angazhohet vetëm për këtë të parën. Në dy vitet e tij të qeverisjes, janë thyer disa nga rekordet më negative ekonomike në vend. Tre treguesit kryesorë makroekonomik, ai i inflacionit, i deficitit tregtar e i rritjes ekonomike, japin sot pasqyrën e vërtetë në vend” ka thënë Abdixhiku.

Abdixhiku thotë se qysh në ditën e parë të Qeverisë së Kurtit çmimet janë rritur për 20%.

Sipas kreut të LDK-së investimet kapitale në Kosovë janë në realizimin më të ulët historik.

/Shqip.com