Lajme

Hovenier: Mirëpresim fillimin e qetë të zbatimit të marrëveshjes së lehtësuar nga BE-ja për dokumentet e hyrjes/daljes

Ambasadori i ri i SHBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier

Që nga dita e sotme,  në  Kosovë kanë rifilluar masat e reciprocitetit për targa ndaj Serbisë.

Po ashtu ka nisur edhe reciprociteti i letërnjoftimeve marrëveshje kjo e arritur më 27 gusht mes Kosovës dhe Serbisë.

Masa e reciprocitetit ndalon përdorimin e targave serbe të automjeteve me akronimet e qyteteve të Kosovës.

Lidhur më këtë ka ardhur edhe reagimi nga ana e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier.

Ai përmes një statusi në Twitter është shprehur se mirëpret fillimin e qetë të zbatimit të marrëveshjes.

“Mirëpresim fillimin e qetë të zbatimit të marrëveshjes së lehtësuar nga BE-ja për dokumentet e hyrjes/daljes. Liria e lëvizjes është thelbësore për normalizimin e marrëdhënieve të përqendruara në njohjen reciproke për 🇽🇰& 🇷🇸. Mezi presim të shohim përparim në çështje të tjera në muajt e ardhshëm”, ka shkruar Hovenier.

I pranishëm në pikën kufitare në Bërnjak është parë edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Ai po përcjell nga afër se a është duke u implementuar marrëveshja për dokumentet.

Pronarëve të automjeteve me targat ‘PR’, ‘KM’, ‘PZ’, ‘GL’, ‘UR’, ‘PE’, ‘DA’, që janë pajisur nga 10 qershori 1999 e deri më 21 prill 2022, do t’u mundësohet regjistrimi i automjeteve me targat RKS.

Këtë vendim, Qeveria e Kosovës e kishte marrë në mbledhjen e 29 qershorit të këtij viti dhe ishte planifikuar që të fillojë së zbatuari më 1 gusht.

Lexo edhe:
Kosova nis zbatimin e reciprocitetit me Serbinë për letërnjoftimet dhe targat

Për shkak të tensioneve që u krijuan në veri të Kosovës vendimi i shty për një muaj me kërkesë të Bashkimit Evropian dhe SHBA-së.

Lexo edhe:
Policia e Kosovës: Situata në veri është e qetë, jemi të gatshëm të ndërhyjmë në rast nevoje

Vlerësohet se 10.000 targa me akronime të qyteteve të Kosovës – sikurse PZ, KM, PR, UR e të ngjashme – qarkullojnë në veriun e banuar me shumicë serbe.

Qeveria ka argumentuar se qytetarët do të kenë afat prej dy muajsh për t’i riregjistruar makinat në targa RKS- Republika e Kosovës.

Lexo edhe:
Në veri sërish shfaqen afishe kundër riregjistrimit në RKS

Serbia ka propozuar që serbët në veri të pajisen me targa KS – që kanë status neutral ndaj shtetësisë së Kosovës – por, Kurti ka hedhur poshtë këtë propozim./Shqip.com