Lajme

Hoti thotë se Qeveria në luftimin e inflacionit është jokushtetuese dhe aspak profesionale

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti
Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka reaguar pasi kryeministri Albin Kurti tha se do të miratohet një projektligj që mbron qytetarët nga vendosja e çmimeve të papërballueshme në produktet bazë.

Hoti tha se Qeveria në vend se të ndërmarrë veprime konkrete për të zbutur krizën nga inflacioni, propozon një projektligj.

“E para, në asnjë vend demokratik dhe me ekonomi të tregut, inflacioni nuk mund të luftohet me ligje, por me politika fiskale dhe monetare. E dyta, edhe pse kjo qasje bie në kundërshtim me parimet e ekonomisë së tregut, procedurat e miratimit të këtij ligji marrin së paku tre muaj. Pra, po flasim për muajin nëntor kur ky ligj në rastin më të mirë mund të hyj në fuqi”, ka shkruar Hoti në një postim në Facebook.

Dyqan

“E them me keqardhje se kjo qasje për luftimin e inflacionit është jokushtetuese dhe aspak profesionale, pasojat e së cilës do të vazhdojmë t’i bartim të gjithë. Me masat që kemi propozuar si LDK para tre muajsh, barra do të ishte shumë më e vogël për qytetarët”, përfundoi Hoti.

Theksojmë se gjatë mbledhjes të Qeverisë, Kurti tha se ky projektligj është i pashmangshëm për të adresuar gjendjen e krijuar në treg nga ngritja e çmimeve.

Lexo edhe:
Qeveria synon që deri në gusht të hartojë projektligjin për çmimet në produktet bazë

“Po përditësojmë agjendën legjislative që të hartojmë rregulla që do ta mbrojnë qytetarin nga vendosja e çmimeve të papërballueshme në sigurimin e furnizimit të ushqimit në produktet bazë. Për të adresuar gjendjen e krijuar në treg është e pashmangshme që projektligji për mbrojtjen e furnizimit me produktet themelore të hartohet sa më parë, konkretisht deri në fillim të muajit gusht, natyrisht të këtij viti”, ka thënë ai.

Javë mëë parë, Qeveria përmes një rregulloreje ka vendosur për vlerën se sa mund të fitojnë kompanitë e shitjes së derivateve.

Fitimi është 12 centë për shitjet me pakicë, ndërsa 2 centë për shitjet me shumicë.

Qeveria e ka cilësuar të suksesshëm vendosjen e çmimit tavan për naftën, ndërsa Kurti ka thënë se njëjtë do të veprohet edhe me çmimet e produkteve esenciale, pa shkelur ligjin dhe Kushtetutën./Shqip.com