Ekonomi

Hoti: Po promovohen projekte të qeverive të “regjimit të kaluar”

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka folur rreth inaugurimit të punimeve të linjës 10-të hekurudhor përkatësisht segmentin Fushë Kosovë-Mitrovicë.

Sipas Hotit, po promovohen projekte të qeverisjeve të kaluara.

“Nuk mund të arsyetohen dy vite të qeverisjes duke promovuar projekte të qeverive të “regjimit të kaluar”, siç ishte rasti me promovimin e nisjes së punimeve në Linjën hekurudhore 10, segmenti Fushë Kosovë-Mitrovicë”.

Tutje, Hoti tha se do të duhej të promovohej ndonjë projekt i kësaj qeverie.

“Do të duhej të promovohej ndonjë projekt i kësaj qeverie, së paku nisja e punimeve”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka marrë pjesë në inaugurimin e punimeve për rehabilitimin e linjës 10-të nga Fushë Kosova deri në Mitrovicë.

Gjatë fjalimit të tij, Kurti tha se kjo i paraprinë zhvillimit ekonomik të Kosovës.

“Rehabilitimi i hekurudhës nga Fushë Kosova deri në Mitrovicë edhe i paraprinë zhvillimit ekonomik, por i shërben edhe ndërlidhjes më të mirë të Kosovës me rajonin dhe Evropën. Linja e 10 hekurudhor i përket rrjetit kryesor hekurudhor të zgjerimit të korridoreve të rrjetit trans-evropian të transportit. Qytetarët e Kosovës e shfrytëzojnë relativisht pak trenin si mjet transporti e kjo për faktin se rrjeti hekurudhor nuk e mbulon gjithë shtetin edhe për shkak të rrjetit jo të mirë e të vjetruar”, tha Kurti.

Kurti tha se për shkak të kushteve të rrjetit hekurudhor, qytetarët e përdorin shumë pak trenin si mjet transporti.

“Që rrjeti hekurudhor që të jetë në shërbim të qytetarëve të Kosovës dhe lëvizjes së lirë të vendit, jemi duke e bërë rehabilitimin e linjës 10 përmes ndihmës së konsiderueshme të Bashkimit Evropian që përshkon dhe lidh shtatë shtete duke përshirë edhe Kosovën”.

Krahas kësaj, Kurti tha se ky projekt do të ndikojë në hapjen e shumë vendeve të reja të punës.

/Shqip.com