Lajme

Hoti: Edhe pas tri dite, nuk ka raport zyrtar për shkakun e helmimit në Deçan

Ish-kryeministri, Avdullah Hoti Kurti

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka reaguar lidhur me situatën e krijuar në Deçan, ku nga e shtuna mbi 1 mijë e 500 banorë kanë kërkuar ndihmë mjekësore pasi dyshohet se janë helmuar nga uji i pijshëm.

Për këtë rast, Hoti është shprehur i habitur se si edhe pas tri ditëve ende nuk ka një raport zyrtar për shkakun e helmimit.

Hoti, i cili aktualisht është deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka deklaruar se për këtë gjendje, duhet masa të shpejta në raport me qytetarët.

”E çuditshme që edhe pas tri dite nuk ka raport zyrtar për shkakun e helmimit dhe as udhezime zyrtare të qarta për qytetarët se si të veprojnë.

Duhen masa të shpejta: Duhet formuar ekip shëndetësore interdiciplinare për të trajtuar me urgjencë të prekurit. Duhet urgjentisht të ngritet një task forcë për të gjetur shkakun e helmimit.”

Mbi 1 mijë e 500 qytetarë në Deçan kanë kërkuar ndihmë mjekësore që nga e shtuna në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në këtë komunë, dy prej të cilëve kanë vdekur, për shkak të dyshimeve se janë helmuar nga uji.

Dy rastet e vdekjeve janë cilësuar si të dyshimta, ndërkaq trupat e pajetë të viktimave janë dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore./Shqip.com